1950 kilogramë medikamente kontrabandë janë sekuestruar sot në portin e Durrësit.
Strukturat e Administratës Doganore në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit, kanë konkretizuar me sukses goditjen e një skeme mashtrimi- kontrabandë, në importin e medikamenteve, të importuara në territorin doganor shqiptar si ndihma humanitare, në portin e Durrësit.
Afo u gjetën në automjetin me targa AA249NN të ndara në 8793 kuti të cilat kapin vlerën prej 119 mijë euro.
Këto medikamente nuk dispononin dokumentacionin përkatës për importimin e tyre në territorin shqiptar, ndaj u sekuestruan.
Vlera e detyrimeve doganore të shmanguara për mallrat e përshkruara më sipër kap shumën 2.979,455 lekë, ndërsa penaliteti për vlerën e detyrimeve të shmangura është në shumën 8.938,365 lekë.
Në total, shuma e detyrimeve doganore dhe penaliteteve të shmangura është 11.917,820 lekë.
U arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kontrabandë me mallra të licencuara” të parashikuara nga neni 173 të Kodit Penal, shtetasit A.B dhe A.P.
Sipas policisë, materialet për rastin në fjalë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.