I dërguari special i SHBA për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar, ka vizituar sot Tiranën ku ka takuar kreun e PD, Lulzim Basha, ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe në fund kryeministrin Edi Rama, ndërsa nuk pati në agjendë një takim të planifikuar me Presidentin Ilir Meta.
Kjo vizitë e Escobar në Tiranë është një tjetër ‘grusht’ i madh amerikan në fytyrën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për përpjekjet e tij për të rimarrë PD-në.
I dërguari special i SHBA e ka shprehur qartë mbështetjen ndaj kryetarit demokrat Lulzim Basha. Ai tha sot për mediat se e ka ftuar Lulzim Bashën në Uashington për një vizitë zyrtare. Kjo ftesë vjen edhe pas deklaratave të ndryshme se Basha nuk e kalon dot oqeanin dhe se mund të mos e marrë vizën.
Report Tv ka mësuar se zyrtari i lartë amerikan ka paralajmëruar emra të tjerë që do të shpallen ‘Non grata’. Gjatë takimit me Bashën ai ka thënë se do të ketë edhe masa të tjera shtesë ndaj personave të ‘listës së zezë’ të SHBA-ve, sanksione ekonomike dhe financiare, të ngjashme me ato që u shpallën dje një ditë më parë në Kosovë.
I dërguari i SHBA-së gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, zhvilloi gjithashtu takim me ministren e Jashtme Olta Xhaçka. Escobar zhvilloi takimin e fundit me kryeministrin Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare tha se me Escobar ka biseduar në lidhje me rolin e Shqipërisë në Rajon, dialogun e domosdoshëm Kosovë-Serbi dhe nismën ‘Ballkani i Hapur’.
Vizita e Escobar në Tiranë, vjen vetëm dy ditë para Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha, i cili është i shpallur ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë. Vetëm dy ditë më parë, ambasada e SHBA-së, tha se vizita e tij është për të konfirmuar gjithashtu vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
Duket si një mesazh i drejtëpërdrejtë ndaj Berishës nga ambasada e SHBA në këtë javë vendimtare të luftës së tij, jo vetëm kundër Lulzim Bashës, por edhe vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto ditë janë shumë të rëndësishme për Partinë Demokratike. Kujtojmë se zgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike do të bëntë forcën më të madhe opozitare në vend ‘non grata’ në SHBA, sipas një deklarate të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.
Më 19 maj të këtij viti DASH shpalli ‘non grata’ Sali Berishën si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”. Pas vendimit të SHBA Berisha ka shpërthyer me akuza kundër aleatit më të rëndësishëm të Kombit Shqiptar dhe ka hedhur në gjyq numrin 3 të administratës, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken i cili ishte ai që bëri publik vendimin e SHBA. Por beteja e Berishës tashmë nuk është vetëm kundër SHBA, por edhe kundë Lulzim Bashës i cili pranoi kërkesën e amerikanëve duke e përjashtuar liderin historik të PD nga partia, deri në zbardhjen e të vërtetës në rrugë ligjore.
Burimi: Shqiptarja.com