Kryedemokrati Lulzim Basha ka sfiduar hapur ish-kryeministrin Sali Berisha, duke organizuar një aktivitet gjatë orarit të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar dhe bërë thirrje demokratëve që të marrin pjesë.
Nesër më 11 dhjetor, në themelimin e PD, Basha u ka dërguar një ftesë demokratëve që të jenë në selinë blu.
Në një kohë që Sali Berisha do të organizojë Kuvendin e thirrur prej tij, Lulzim Basha do të
mbledhë aktivitete të tjera të partisë për të festuar 31-vjetorin e themelimit të PD-së.
Kujtojmë se lideri historik i PD-së ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet nga organizimi i Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, madje ai ka ftuar Lulzim Bashën dhe deputetet e PD-së për të qenë pjesë.
Ndërsa më pas, Gazment Bardhi Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, ngulmoi se i vetmi Kuvend Kombëtar legjitim i kësaj partie është ai i 18 Dhjetorit.
Të nesërmen, datë 11 dhjetor 2021 pritet që në stadiumin “Air Albani” të mblidhet Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Berisha.
Delegatët pjesëmarrës do kenë mundësi të votojnë për rithemelimin e Partisë Demokratike, që ish-kryeministri Berisha synon ta drejtojë sërish.
Në daljet e tij të mëparshme Berisha ka deklaruar se nuk sheh si pengesë për të ardhmen e Partisë Demokratike faktin që është shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara, pasi këmbëngul se është një vendim i pabazuar në fakte dhe prova.
Po ashtu ish-kryeministri mohon që lëvizja e ndërmarrë prej tij, për të eliminuar Bashën, të jetë një hakmarrje personale ndaj kryetarit demokrat për largimin nga grupi parlamentar, si pasojë e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.