Tre djem dhe një vajzë të përfshirë/ 20-vjeçari plagoset në dhomën e hotelit

Një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri mëngjesin e së enjtes, në ambientet e dhomës së një hoteli pranë kilometrit të 6-të të aksit rrugor Durrës-Tiranë.

Arni Sulejmani e ka marrë plumbin në zonën e bërrylit.

Ai është qëlluar dhe plagosur nga 26-vjeçari Markeljan Beqiri, banues në Durrës, i cili është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Policia tha se në pranga kanë rënë Anxhela Brisku, dyshohet transgjinore dhe Enver Hysenaj.

Ndërsa autori i dyshuar Markeljan Beqiri, dhe Tefik Shehu janë shpallur në kërkim.

22-vjeçarja Anxhela Brisku akuzohet për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”, pasi sipas policisë, ajo menjëherë pas ngjarjes, ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit.

Ndërkohë Enver Hysenaj, 66 vjeç, akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka strehuar shtetasen Anxhela Brisku, ndërkohë që ka pasur dijeni për ngjarjen.

Nuk dihen ende shkaqet e plagosjes së të riut dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë në ngjarje ndërsa policia po punon për kapjen e autorëve.