Ndërron jetë nga i ftohti në mal, gjendet pa shenja jete emigranti sirian

Një emigrant i paligjshëm nga Siria është gjetur këtë mbrëmje pa shenja jete në malin e Moravës.

Paraprakisht dyshohet se viktima, e moshës rreth 27 vjeç, ka ndërruar jetë për shkak të temperaturave të ulëta dhe borës, gjatë ecjes së tij në këmbë për të kaluar nëpërmjet shtigjeve.

Policia ka mbërritur në vendngjarje, ndërkohë që pritet ekspertiza nga mjekësia ligjore lidhur me rastin.

Më datë 08.12.2021, rreth orës 21:30, në zonën e Malit Moravë, mbi fshatin Dishnicë, Korçë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë dhe Forcat Speciale “Shqiponjat”, është gjetur i pajetë, pa shenja dhune, një shtetas ende i paidentifikuar, i cili dyshohet të jetë nga Lindja e Mesme“, njofton policia.

Malet e Korçës përdoren si një shteg për emigrantët e paligjshëm, që hyjnë në territorin tonë nga Greqia, për të udhëtuar drejt vendeve fqinj, ndërsa destinacion final kanë Perëndimin e Europës.