Tentativë vrasje për pazaret e drogës/ Në pranga tre persona, mes tyre edhe një grua

Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, persona këta me precedentë të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore, të dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës janë shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje.

Nga hetimet paraprake, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin një vrasje në qytetin e Tiranës, për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës, jashtë shtetit.

Ndërsa kanë rënë në pranga nga Policia e Lezhës Mark Lamkja, Nikoll Marku dhe shtetasja Marie Marku.

Vlashi dhe Ndoka si bazë për fshehjen e armatimit që do të përdornin për kryerjen e vrasjes dhe të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, kishin shfrytëzuar ambientet e banesës dhe të restorantit të shtetasit Nikoll Marku.

Ndërsa Mark Lamkja, dhëndri i Nikoll Marku është kapur me armë zjarri pistoletë, gjatë  operacionit, në përpjekje për të fshehur provat që u gjetën gjatë kontrollit të Policisë.

Pas kontrollit të ambienteve, mjeteve dhe banesave të dyshuara janë gjetur dhe sekuestruar 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë; 88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit;
2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet.