Kryeministri Edi Rama u nderua sot me çmimin e ‘Inovator i Nderuar Global’, për strehimin e afganëve në Shqipëri.
Çmimin ia dha vetë ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
“Në emër të Vital Voices, kam nderin e madh t’jap çmimin Inovator i Nderuar Global, kryeministrit Edi Rama”, tha Clinton në ceremoni.
Kryeministri tha se sipas ‘zërit jetik’ në familjen e tij, duke iu referuar bashkëshortes së tij, modestia nuk është forca e tij, koment që shkaktoi të qeshura në sallë.
“Ndihem jo vetëm i përulur, por edhe i sëkëlldisur për këtë nderim të jashtëzakonshëm që më bëhet”, tha ai, ndërsa më tej u shpreh se shqiptarët janë heronjtë që kanë ndihmuar popujt në vështirësi, duke u ndalur te strehimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore:
“Përpara sesa të mbërrinte Sekretarja Klinton më takoi dhe më tha ti je hero. Sigurisht të vjen mirë të dëgjosh fjalë të tilla nga një grua aq e mrekullueshme, por unë nuk jam hero. Nuk është kurrëfarë heroizmi të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin. E meqë po flasim për heronj, dua ta vë diskutimin në kornizën e duhur, duke ju thënë se heronjtë ishin të tjerë. Heronj ishin shqiptarët që kishin gjithçka për të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shpëtuan hebrenjtë, duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm në Europë që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa në nisje të saj dhe duke e radhitur Shqipërinë tek të drejtët mes kombeve, përmes shpëtimit të 3750 hebrenjve dhe mbylljes së kapitullit të Luftës pa asnjë hebre të dorëzuar te nazistët. Pati shumë heronj ajo kohë. Njëri prej tyre quhej Mustafa Rezniku i cili është nderuar po ashtu nga shteti i Izraelit si i drejtë mes kombeve. Ai shpëtoi 42 familje hebreje, por veprimtaria e tij e fshehjes së hebrenjve në fshatra të ndryshme përreth vendbanimit të tij, u spiunua tek nazistët dhe kur ata shkuan tek ai e i kërkuan të dorëzonte hebrenjtë, ai u dorëzoi dy djemtë e tij. Të cilët përfunduan në Mathausen. Por nuk i dorëzoi hebrenjtë!”