Figurat e politikës shqiptare kanë reaguar për ndarjen nga jeta të ish senatorit amerikan, Bob Dole.
Presidenti Ilir Meta i shpreh mirënjohje për rolin dhe kontributin e vyer në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës.
“Thellësisht i pikëlluar për humbjen e mikut të madh të shqiptarëve, Senator dhe kandidat për President të SHBA, Bob Dole.
Senatori Dole ishte një prej personaliteteve më të spikatur të politikës amerikane dhe u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre.
Do t’i jemi përherë mirënjohës këtij burri të madh të popullit amerikan, për rolin dhe kontributin e vyer në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës.
Jam pranë familjes së Tij dhe popullit amerikan dhe u bashkohem lutjeve të tyre, që shpirti i Senatorit Dole të prehet në paqen e merituar!
Do të na mungojë shumë të gjithëve!”, shkruan Meta.
Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha ka rrëfyer plot trishtim telefonatën e fundit me senatorin.
“Me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Bob Dole, mik i madh i shqiptarëve, që na ka qëndruar pranë në çastet më vendimtare dhe hapat më të rëndësishëm të kombit tonë.
Senatori Bob Dole ishte një nga zërat më të fortë dhe përcaktues në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Nga çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, tek sprovat e rrugës Euro-Atlantike të Shqipërisë dhe Kosovës, mbështetja e tij ishte një bekim i pazëvendësueshëm për kombin tonë.
Kam akoma të freskët bisedën e fundit me Senatorin Dole, javë përpara zgjedhjeve, këshillat, urimet dhe dëshirat e tij për Shqipërinë dhe Kosovën.
Mirënjohje të përjetshme për këtë kolos të demokracisë amerikane! Lutjet dhe mendimet e mija shkojnë për familjen e Senatorit Dole, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij dhe kombin mik amerikan!
U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.