Të maskuar, me kallashnikov në dorë hynë brenda lokalit në Lezhë, policia zbardh ngjarjen, detajet nga hetimet

Pas publikimit të një video në rrjetet sociale ku shfaqeshin tre persona të armatosur dhe të maskuar në një lokal, policia e Lezhës ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e ndodhur më datë 13.11. 2021, duke sqaruar se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.

U shpallën në kërkim shtetasit R. Rr., 28 vjeç, A. D., 31 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe R. B., 29 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, të cilët menjëherë pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i shtetasve R. Rr., A. D. dhe R. B., këta tre të fundit, më datë 13.11.2021, kanë shkuar të armatosur, në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., dhe kanë kërkuar kushëririn e tij, shtetasin L. M.(K), (i cili më herët ishte konfliktuar me shtetasin Gj. J., mik i tre autorëve të dyshuar). Shtetasi L. M.(K), në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit.

Po në vijim të veprimeve, menjëherë pas publikimit të videos në media dhe rrjetet sociale, nga shërbimet e Policisë është bërë i mundur identifikimi i të gjithë shtetasve që ndodheshin në lokal, të cilët në vijim të veprimeve hetimore janë proceduar penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”, e mbetur në tentativë, të kryera në bashkëpunim.

Top Channel