Mijëra qytetarë protestuan edhe sot në të gjithë Serbinë duke ecur nëpër rrugët e qyteteve dhe duke bllokuar trafikun në disa kryqëzime.
“Kam ardhur në protestë sepse kjo qeveri ka shitur gjithçka që ka mundur deri tani. Ne nuk japim ujë dhe tokë, këtë e them si qytetar i Nishit dhe qytetar i këtij vendi”, tha një nga pjesëmarrësit në tubim.
Sipas grupit të qytetarëve “Ngrihu për ndryshim” dhe Lëvizja “Kryengritja Mjedisore”, që po udhëheqin këto protesta, sot u mbajtën bllokada në më shumë se 60 vende në të paktën 50 qytete.
Protestuesit po postojnë pamjet nga qytetet e tyre në internet me hashtagun #kryengritje për mbijetesë.
“Theksojmë se e gjithë përgjegjësia për çdo gjë që mund të ndodhë në tubime të cilat nuk janë të regjistruara apo miratuara në përputhje me ligjin nga organet kompetente, e bartin ekskluzivisht organizatorët e tubimeve të paregjistruara”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se incidentet më të mëdha ndodhën të shtunën e kaluar në Shabac, ku një grup të rinjsh të maskuar sulmuan protestuesit me shkopinj.
Shkak për protestat masive janë pakënaqësia e qytetarëve me Ligjin për Referendum dhe Nismën Civile dhe Ligjin për Shpronësimin, të cilin Parlamenti i Serbisë tashmë e ka miratuar pa një debat të mëparshëm publik.