Nga fshati Studeniçani në Maqedoninë e Veriut dje janë varrosur 17 viktima nga aksidenti tragjik i 23 nëntorit në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona, shumica shqiptarë.
Trupat mbërritën dje në Aeroportin e Shkupit dhe u kryen ceremonitë mortore në vendibanimet respektive.
Kryetari i komunës Studeniçan, Azem Sadiku, ka kërkuar që të zbardhen shkaktarët që çuan në djegien e autobusit, ku humbën jetën 45 qytetarë.
“Është ditë shumë e rëndë për familjarët, për të gjithë vendin, për të gjithë qytetarët e Studeniçanit. Ditë shumë e vështirë. Nga dita që ka ndodhur fatkeqësia, po mundohemi që të jemi pranë familjarëve. Është me rëndësi që këto raste të zbardhen. Shkaktari kryesor i këtij zjarri duhet të zbardhet dhe duhet të ketë përgjegjësi për këtë”, është shprehur ai.
Arkivolet janë dorëzuar të premten, të vendosur në dy avionë.
Kujtojmë se aksidenti tragjik ndodhi më 23 nëntor në autostradën “Struma” në afërsi të qytetit Pernik të Bullgarisë, ku si pasojë e flakëve humbën jetën 45 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe 7 të tjerë u plagosën.
Hetimet vijojnë ende, ndërsa Prokuroria e Shtetit në Bullgari ka konfirmuar se aksidenti ka ardhur si pasojë e një shpërthimi, por se nuk dihet ende se çfarë e ka shkaktuar atë.
Detaje të tjera nga ekspertiza e aksidentit janë zbuluar, ku thuhej se barrierat anësore të rrugës kishin qenë të dëmtuara nga një aksident i ndodhur më parë dhe se në zonë mungon sinjalistika e duhur rrugore.
Sipas informacioneve fillestare, autobusit i ka plasur goma e përparme djathtas, e më pas është përplasur në parmakë dhe është zvarritur. Në atë moment është derdhur karburanti që lidhet me ngrohjen në autobus, duke shkaktuar edhe zjarrin.
Nga aksidenti tragjik mundën të mbijetonin vetëm 7 persona, 2 gra dhe 5 burra.