Në fjalën e lamtumirës ajo përmendi tre krizat kryesore: atë të sistemit bankar, në vitin 2008, krizën e migracionit në vitin 2016 dhe atë të pandemisë së virusit corona. Ajo kujtoi parimin e qeverisjes së saj për “barazimin e interesave”, duke dëgjuar gjithmonë edhe palën tjetër. “Ju inkurajoj që ta shihni botën edhe me sytë e tjetrit dhe të merrnin perspektivën e tjetrit, edhe nëse ajo është jokomode”, porositi politikania demokristiane.
Ndër të tjera ajo lëvdoi edhe kulturën e debatit në Gjermani “për të cilën na e kanë zili në shumë vende të botës.” Ajo falënderoi edhe familjen dhe i uroi pasardhësit të saj Olaf Scholz: Gjithë të mirat dhe një dorë të mbarë dhe shumë suksese!
Porosia e saj e fundit: “Unë jam e bindur se ne mund të vijojmë ta formësojmë të ardhmen tonë, nëse nuk i hyjmë punës me negativitet, me smirë, me pesimizëm, por, siç e kam thënë edhe gjetkë para tri vjetësh, me gaz në zemër. Unë kështu kam vepruar gjithmonë, në RDGJ, por edhe, dhe sidomos, në kushtet e lirisë. Është ky gaz në zemër, që ua uroj të gjithëve, dhe në kuptimin figurativ, edhe vendit tonë”./ DW