55 vite burg për Shullazin dhe grupin e tij

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij që përbëhet nga  Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.

Dy vite më parë, Gjykata e Shkallës së Parë, me trupë gjykuese të kryesuar nga Fran Prendi dënoi me 14 vite burg Emiljano Shullazin për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.

Me 12 vite burg u dënua Gilmando Dani, Indrit Qyqja me 10 vite, Indrit Zela me 10 vite dhe Blerim Shullazi me 9 vite burg.

Gjykata e zhvilloi seancën e fundit pa praninë e avokatëve të Shullazit, duke argumentuar se ata po sfidojnë drejtësinë.

Pavarësisht bojkotit, kryetarja e trupit gjykues Miliana Muça, urdhëroi vijimin e gjykimit ndaj të pandehurit pa prezencën e avokatëve mbrojtës.

Prokuroria ka kërkuar dënimin e Shullazit me 18 vite burgim.

Përveç kësaj çështje penale, ndaj Emiljano Shullazit vijon të qëndrojë në fuqi edhe një masë e dytë sigurimi “arrest në burg”, për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të Vajdim Lamajt dhe Artan Arsit, ngjarje kjo e ndodhur në muajin shkurt të vitit 2005 në Tiranë.

Seancat ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë janë ndjekur në mënyrë të vazhdueshme edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Që prej nisjes së procesit në dhjetor të vitit 2018, numri i seancave të shtyra në Apel ka qenë mbi 80.

Kujtojmë se në fund të muajit korrik Shullazit iu shty edhe me një vit izolimi në regjimin ‘41 bis’.