Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të enjte ka akuzuar se drejtues të lartë të vendit janë pjesë e përgjimeve të antimafias.
Ai tha se kullat e larta në Tiranë po ndërtohen nga pastrimi parave.
Ai deklaroi se për tre vjet në Shqipëri janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro, duke theksuar se nuk e luftojnë dot pastrimin e parave ata që janë kapur në përgjimet e antimafias italiane në bashkëpunim me Ndraghetan dhe Cosa Nostran.
“Të gjithë ata që e njohin mirë realitetin e përditshëm të Shqipërisë, qofshin shqiptarë apo të huaj, ata e që kanë parë e shohin përditë se si gjatë sundimit të kësaj pseudo-mazhorance, institucionet u gangsterizuan, llumi i shoqërisë u fut lirshëm në parlament e bashki, krimi i organizuar ka sekserët e tij në nivelet më të larta të qeverisë, në mendjet e të gjithëve”, tha Basha.
Ai tha se vendi ynë është renditur nga MONEYVAL, struktura e përhershme e Këshillit të Europës, në listën gri të vendeve me probleme të mëdha në luftën kundër pastrimit të parave. Sipas tij, referuar Indeksit të Bazelit, këtë vit rreziku për pastrim parash është rritur në vendin tonë, duke humbur 28 vende në krahasim me vitin e shkuar, më të rrezikuarit në Rajon dhe Europë.
“Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”, tha ai.