Ministrat e Jashtëm të NATO-s po diskutojnë sot në Letoni për hapat që duhen ndjekur më tej për të përforcuar politikën e jashtme dhe mbrojtjen.
Ministrja e jashtme Olta Xhacka, e cila mori pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut, kërkoi që në konceptin e ri strategjik të aleancës, të përfshihët dhe Ballkani perëndimor.
“Rajoni i detyrohet shumë ndërhyrjes së NATO-s. Por sot, ka ardhur kohë që të shkohet një hap më përpara, duke e çuar Ballkanin Perëndimor në Konceptin Strategjik 2022, duke çuar njëkohësisht një sinjal të fortë kundër të gjithë atyre fuqive që po përpiqen të sabotojnë integrimin euroatlantik, duke nxitur ndasi e destabilitet përmes taktikave hibride”, tha Xhaçka.
BE po përgatit doktrinën e mbrojtjes që pritet të prezantohet në pranverë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen përcaktoi para dy vjetësh drejtimin: “Europa duhet të mësojë edhe gjuhën e pushtetit” e të ketë vetëbesim përballë shteteve si Kina, por edhe SHBA. Draftin e parë e prezantoi së fundmi kryediplomati europian, Josep Borrell para 27 vendeve anëtare.