Vaksinimi për mbi 60-vjeçarët i detyrueshëm në Greqi/ 100 euro gjobë në muaj kush refuzon

Vaksinimi i personave mbi 60 vjeç në Greqi është bërë i detyrueshëm.

Ata që nuk pranojnë do të gjobiten  me 100 euro çdo muaj nëse nuk vaksinohen deri më 16 janar.

Kjo masë është paralajmëruar nga kryeministri grek gjatë mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar.

Në mbledhje, Kyriakos Mitsotakis njoftoi një sërë masash që duhet të merren për të vendosur nën kontroll pandeminë, veçanërisht pas shfaqjes së mutacionit Omicron, por edhe për shkak të festave të fundvitit.

Duke filluar nga data 6 deri në 12 dhjetor dhe nga data 3 deri në 7 janar do të ofrohen teste falas për çdo person të rritur, të vaksinuar ose jo, me qëllim identifikimin e bartësve asimptomatik të virusit para Krishtlindjeve, si dhe për të monitoruar përhapjen e pandemisë gjatë festave.

Paratë që do mblidhen nga vendosja e kësaj gjobe, do të shkojnë për të financuar spitalet greke.