Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruar me erë të fortë kanë përfshirë vendin në dy ditët e fundit, duke shkaktuar probleme në disa akse rrugore dhe bllokuar disa fshatra.
Rrëshqishtja e dherave ka bllokuar disa rrugë ndërsa prurjet e lumenjve dhe përrenjve kanë izoluar fshatrat në Librazhd dhe Gramsh.
Reshjet e shiut vijuan përgjatë gjithë natës në Lezhë, por raportohet se situata po mbahet në kontroll për të shmangur përmbytjet.
Niveli i lumenjve dhe sistemi kullues është në kuota normale.
Shirat kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në disa akse rrugore të Librazhdit.
Disa fshatra të Gramshit janë bllokuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë natës. Në Poroçan është bllokuar fshati Gjere dhe Holtë.
Ka vështirësi për të lëvizur drejt qendrës së Poroçanit, për shkak të fryrjes së përroit Liçaj.
Në njësinë e Kushovës është bllokuar fshati Kërpicë. Në njësinë administrative Pishaj është shembur ura e fshatit Liras. Problem për qarkullimin e mjeteve ka dhe në Bicaj, Posnovisht dhe Kishtë.
Moti i keq mbizotëron prej disa ditësh edhe në Vlorë.
Pas kësaj situate është ndaluar lundrimi i mjeteve të vogla, ndërsa tragetet kanë dalë në Rad, për të shmangur përplasjen me shkëmbinjtë.
Niveli i lumit Vjosa është 6.10 metra mbi nivelin e detit këtë mëngjes, ndërkohë që një natë më parë arrti në kuotat 6.70.
Pika kritike kur jepet alarmi është 7.30 metra mbi nivelin e detit. Prurjet e Vjosës, të hënën shkaktuan përmbytje në tregun e gjësë së gjallë poshtë urës së Mifolit, por pa problem për banorët e Novoselës.