Ministrave të Kosovës u refuzohet vizita në Serbi

Autoritetet në Serbi kanë refuzuar kërkesën për vizitë dyditore në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – që njihen ndryshe edhe si Lugina e Preshevës – katër ministrave të Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se kërkesa për vizitë u refuzua “pa asnjë arsyetim pak para nisjes” së delegacionit të Qeverisë së Kosovës.

“… ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Refuzimi na është bërë sot në orën 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye për refuzimin”, tha Aliu përmes një postimi në Facebook.

Në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – komuna në jug të Serbisë të banuara me shumicë shqiptare – ishte planifikuar që të qëndronte ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ai i Financave, Hekuran Murati, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministri Aliu tha se gjatë kësaj vizite ata kishin paraparë që të qëndronin në tri komunat e banuara me shqiptarë dhe të takoheshin me krerët e komunave dhe përfaqësuesit e tjerë politikë të shqiptarëve në Serbi.

“Refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, tha ministri Aliu.

Refuzimi i kërkesës për vizitë në Serbi të delegacionit të ekzekutivit kosovar vjen pasi më 23 nëntor, Qeveria e Kosovës i refuzoi kërkesën për vizitë në Kosovë të shefit të së ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishin deklaruar për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të rishqyrtojnë qëndrimin për lejimin e vizitave të Petkoviqit në të ardhmen, nëse “ai përmbahet nga gjuha nxitëse dhe provokuese në raport me qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.