Pandemia e Covid 19 na ka mësuar të shohim çudira të shumta në dy vitet e fundit, por kjo e mbrëmjes së sotme është padyshim më e veçanta.
Skuadra e kampionatit portugez, Belenenses është goditur rëndë nga koronavirusi dhe ka pasur në dispozicion vetëm 9 lojtarë përpara ndeshjes me Benficën, megjithatë për federatën e futbollit në vend nuk ka asnjë problem.
Klubit i është refuzuar kërkesa për shtyrjen e ndeshjes dhe është detyruar që të zbresë në fushë me vetëm 9 futbollistë gjithsej, dy prej të cilëve janë portierë dhe moshat variojnë nga 19 deri në 24 vjeç.
Me dy lojtarë më pak dhe pa asnjë tjetër në stol, padyshim që do të ishte e komplikuar dhe Belenenses pësoi golin e parë pas vetëm 26 sekondash lojë, pas një autogoli të brazilianit Kau, ndërsa pak më vonë ishte zvicerani Seferovic që dyfishoi shifrat.
Benfica ia doli të shënojë 7 gola në pjesën e parë, ndërsa më pas skuadra e Belenenses mori vendimin që të braktisë ndeshjen dhe të mos rikthehet më për pjesën e dytë, pavarësisht rrezikut për penalizim nga ana e federatës.
Gjithsesi fakt mbetet që mbrëmjen e sotme liga elitare portugeze dhuroi një shfaqje të shëmtuar, që edhe mund ta kishte shmangur me një shtyrje të ndeshjes…
Formacioni i Belenenses dhe mosha e lojtarëve:
Henrique Pires (19)
João Monteiro (20)
André Lopes (20)
Antonio Montez (20)
Trova Boni (21)
Eduardo Kau (22)
Álvaro Ramalho (22)
Diogo Calila (23)
Rafael Santos (24)