30-vjetori i marrëdhënieve me Vatikanin/ Rama, i shoqëruar nga Linda dhe Zaho takohet me Papa Franceskun

Në 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Vatikan, kryeministri i vendit Edi Rama së bashku me bashkëshorten dhe djalin Zaho kanë shkuar në Selinë e Shenjtë  dhe janë takuar me Papa Franceskun.

Pasi u prit nga Papa, Rama u takua edhe me Sekretarin Kardinal të Shtetit, Pietro Parolin, Kryepeshkopin Paul R.Gallagher.

Gjatë bisedës, Rama dhe Papa Françesku folën për marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë.

Gjithashtu u diskutuan çështjet kryesore rajonale, duke përfshirë situatën në Ballkanin Perëndimor dhe ecurinë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Pas bisedës, Papa Françesku i dhuroi kryeministrit Rama një basoreliev prej bronzi të Noes. Gjithashtu i dha atij dokumente papale, duke përfshirë mesazhin e këtij viti për Ditën Botërore të Paqes me temën “Kultura e kujdesit si një rrugë drejt paqes”, dokumentin mbi Vëllazërinë njerëzore për paqen botërore dhe të jetuarit së bashku.

Ndërsa Rama ka zbuluar detaje nga biseda me Papa Franceskun pas takimit në Vatikan, ku tha se Ati i Shenjtë flet me dashuri të posacme për shqiptarët dhe shpreh mirënjohje për rolin e Shqipërisë si faktor paqeje në rajon.

Ndër të tjera tregon se përcjell bekime për shqiptarët duke përshëndetur edhe bashkëpunimin e ri mes Selisë së Shenjtë dhe qeverisë shqiptare.

“Papa Françesku flet për Shqipërinë dhe shqiptarët me një dashuri të posaçme, ruan të freskët kujtimin e vizitës së tij të parë jashtë Vatikanit në Shqipëri, shpreh mirënjohje për rolin e Shqipërisë si faktor paqeje në rajon, po edhe si një vend e një popull model solidariteti njerëzor, qysh me shpëtimin e hebrenjve e deri në ditët tona me mikpritjen për refugjatët afganë dhe përcjell bekimet e tij për të gjithë shqiptarët, duke përshëndetur gjithashtu bashkëpunimin më të ri mes Selisë së Shenjtë dhe Qeverisë Shqiptare, për krijimin e destinacionit të pelegrinazhit me përmendoren e me tempullin kushtuar Shenjtores Shqiptare, Nënë Tereza, në Tiranë”, shkruan Rama në Facebook.

Kjo vizitë e kryeministrit përkoi me 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë.

Në shenje mirënjohje Kryeministri Shqiptar dekoroi sekretarin e shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin.