Dy vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, qindra qytetarë që mbetën pa strehë hyjnë në shtëpi të re

2 vite më parë një tërmet i magnitudës 6.4 i shkallës Rihter i mori jetën 51 personave dhe plagosi mbi 1000 të tjerë.

Lëkundja e fortë shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave në Durrës e Tiranë.

Kryeministri Rama nëpërmjet një postimi në Facebook ka përkujtuar ngjarjen tragjike. Ai shprehet se tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt dhe shtetet por sot, thotë kryeministri, jemi ngritur më të fortë.

“Tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu, mund të themi pa ndroje se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar, për faktin se mijëra familje të goditura prej asaj fatkeqësie sot janë më mirë se sa përpara goditjes prej saj.
Kujtoj me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur dhe mbetem mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë, që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia, që punuan e punojnë pa pushim për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur”.