Një tjetër rast përdhunimi ka tronditur vendin tonë, kuku daja ka abuzuar seksualisht me nipin e tij vetëm 8 vjeç në Berat.
I mituri, i shoqëruar nga nëna e tij ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë Berat 2 javë më parë dhe në prani të oficerit të policisë gjyqësore e psikologëve ka deklaruar se daja e ka përdhunuar.
Sipas fëmijës, abuzimi ka ndodhur rreth një muaj më parë në shtëpinë e dajës në Prizren, ku kishte shkuar disa ditë me nënën për pushime.
Pas denoncimit, policia njofton se është kryer vizita mjeko-ligjore e të miturit, që konfirmon përdhunimin.
Belul Kokollari u shpall në kërkim nga policia. Duke mos qenë në dijeni të denoncimit, ai ishte nisur sot për në Shqipëri, për të takuar motrën që prej vitesh është martuar në Berat dhe jeton me bashkëshortin dhe djalin 8-vjeç.
45-vjeçari, të cilit i ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë u ndalua këtë të enjte.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se daja e fëmijës ka filluar afrimitetin me të rreth një vit më parë, kur për shkak të një konflikti pronësie që motra kishte me komshiun e saj, ai qëndronte shpesh aty.
Konflikti i motrës me komshiun në muajin gusht 2020 degjeneroi atëherë deri në ushtrimin e dhunës mes dy palëve.
Kosovari Belul Kokollari u dënua asokohe me 4-muaj burg pasi u akuzua për plagosjen me mjete të forta të djalit të komshiut që zihej me familjen e motrës.