Partia Demokratike i konsideron deklaratat e Presidentit të Republikës Ilir Meta si një tentativë për të përçarë partinë më të madhe opozitare në vend.
Presidenti tha sot se kreu i demokratëve gënjeu mbështetësit e opozitës, duke i thirrur në protesta para zgjedhjeve vendore të 2019.
Ai zbuloi se në fillim të qershorit, kur ndodhej për një vizitë në Gjermani ishte takuar atje me Lulzim Bashën, ku demokrati i ishte lutur që të anulonte zgjedhjet, pasi ky i fundit nuk mund të kontrollonte dot protestën e 8 qershorit.
Në lidhje me këtë deklaratë të Presidentit të Republikës, Partia Demokratike thotë se simpatizantët e saj e njohin mirë se kush është Ilir Meta dhe sipas saj asnjë përpjekje e ulët për përçarje nuk do t’i funksionojë.
“Demokratët e njohin mirë atë, ia dinë bëmat dhe gjëmat, se si e përdori pushtetin në kurriz të tyre dhe asnjë përpjekje e ulët për përçarje nuk do t’i funksionojë”, citohet nga deklarata e PD-së.
Në të njëjtën deklaratë, theksohet se Metës demokratët nuk i kanë asnjë borxh dhe mbi të gjitha nuk ia zgjidhin dot hallet.
“Ne demokratët nuk i kemi asnjë borxh dhe nuk ia zgjidhim dot hallet e tij”, shkruan PD.
Presidenti Ilir Meta ju kundërpërgjigj akuzave të pak javëve më parë të kryetarit demokrat Lulzim Basha, i cili gjatë një ndërhyrjeje në parlament foli për “Trekëndëshin e Bermudave”, ku ai përfshiu ish kryeministrin Sali Berisha, kreun e shtetit Meta dhe kryeministrin Edi Rama.
Meta deklaroi se kryetari demokrat Lulzim Basha nuk mund t’i iki përgjegjësive të tij e të shpikte gjithnjë fajtorë. Presidenti u pyet nga mediat edhe për përplasjen e fortë në Partinë Demokratike, e cila shpërtheu pas vendimit të kreut të saj për të përjashtuar nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha, për shkak se ky i fundit është shpallur “non grata” nga Departamenti amerikan i shtetit.
Kreu i shtetit tha se nuk dëshironte të hynte në çështjet e brendshme të Partisë Demokratike. Megjithatë, ai deklaroi se “është një fakt që, opozita ka një problem të rëndësishëm, legjitimitetin e lidershipit të saj.