Vrasja e 8-vjeçarit/ Rama: Të merret vendimi më ekstrem për barbarin

Kryeministri Edi Rama këtë mëngjes ngushëlloi familjen e 8-vjeçarit që u vra nga komshiu i tij 38-vjeçar në Fier.

Në një konferencë për mediet nga aeroporti i Rinasit, kryeministri tha se pret vendimin më ekstrem të drejtësisë për barbarin.

Pa komentuar gjatë, Rama tha se i takon drejtësisë të hetojë çështjen.

E gjithë shoqëria është tronditur, mbetet e pangushëllueshme për prindërit humbja e vogëlushit Mateo dhe ajo çka megjithatë nuk e bën më të lehtë peshën e nënës, babait familjes, ajo që pritet nga të gjithë është verdikti më ekstrem i drejtësisë mbi barbarin, i cili falë reagimit nga forcat e policisë u kap. I takon drejtësisë që të veprojë sa më shpejt që të marrë masën më ekstreme sa i përket drejtësisë shqiptare. E pata të pamundur të shkruaj një tekst mbi këtë ngjarje e prandaj ju thirra këtu”, tha Rama.

8-vjeçari u gjend i pajetë një ditë më parë, i mbuluar me baltë në një zonë periferike të Fierit.
Nëna e djalit kishte bërë më herët denoncimin për zhdukjen e djalit, ndërsa raportohet se ai nuk ishte paraqitur sot në mësim.

Policia ka arrestuar 38-vjeçarin Klodian Çalameni, si autorin e dyshuar të këtij krimi tronditës. Trupi i pajetë i fëmijës u gjet në shtëpinë e tij. Kjo ngjarje ka tronditur opinionin publik, që kërkon dënime maksimale për kriminel të tillë, deri te dënimi me vdekje.