Kryedemokrati Lulzim Basha paralajmëroi sot Sali Berishën se mund ta përjashtojë nga Partia Demokratike.
Ai tha sot në mbledhjen me dyer të mbyllura me krerët e degëve të PD në rrethe, se për cilido që nuk respekton vendimin e kryesisë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor do zbatojë statutin e partisë.
‘Boll është boll, asnjë anëtar nuk është mbi statutin dhe as mbi ne’, është shprehur Basha gjatë takimit me 71 krerët e degëve, pasi Berisha ka thirrur një Kuvend paralel duke shkelur kështu vendimin e kryesisë. Lulzim Basha tha se veprimet ilegjitime të Sali Berishës, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjën në Statut. Ai është shprehur para drejtuesve të degëve se do të zbatojë statutin ndaj kujtdo që shkel vendimin e kryesisë së partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Në nenin 27 pika 2 e statutit të PD parashikohet që anëtarët që thyejnë disiplinën e partisë ndeshkohen me paralajmërim, pezullim dhe përjashtim. Basha është treguar i vendosur në qëndrimin e tij për të mos njohur ato qe i quajti “struktura paralele” që tenton të krijojë Sali Berisha në PD, për interesat e tij personale”, tha kryedemokrati.
Basha ka theksuar se detyra kryesore e PD është që të dalë më e bashkuar nga kuvendi i 18 dhjetorit dhe se beteja mes demokratëve i shërben vetëm Ramës.
Thirrja e Kuvendit Kombëtar u propozua nga kryetari Basha, pas refuzimit të mbështetësve të Sali Berishës për të verifikuar sipas statutit 4200 firmat e mbledhura prej tyre për thirrjen e Kuvendit.
Pas debateve të nxehta dhe akuzave të forta, Lulzim Basha fitoi betejën në kryesinë e Partisë Demokratike duke mbledhur 26 vota pro, 3 kundër dhe 7 abstenime për mbledhjen e Kuvendit më datë 18 dhjetor jo më datë 11 si kërkonte grupi i Sali Berishës.