Një çift të moshuar humbën jetën këtë mbrëmje në Dropull, pasi shtëpia e tyre u përfshi nga flakët.
Irakli dhe Fotini Panajoti, 87 dhe 83 vjeç dyshohet se u asfiksuan në pamundësi për të dalë nga banesa e tyre në fshatin Hllomo.
Të ndjerët përdornin oxhakun, pasi prej ditësh nuk kishin energji elektrike dhe dyshohet se flakët janë përhapur në banesë, ku ata mbanin aty dhe drutë që përdornin për ngrohje.
Zjarrfikëset kanë mbërritur me shumë vonesë në fshatin malor, ndërsa as fqinjët nuk kanë mundur të ndërhyjnë në kohë.
“Rreth orës 19:20, në sallën operative ka ardhur një telefonatë se në fshatin Hllomo, Dropull, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit I. P. Si pasojë e zjarrit dyshohet se kanë humbur jetën dy shtetasit e moshuar, shtetasi I. P. dhe bashkëshortja e tij, shtetasja F. P., të cilët ndodheshin në banesë. Shërbimet e policisë ndodhen në vendngjarje, grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes“, njofton policia.