Kuvendi ka miratuar në parim sot projektbuxhetin e 2022 pas dy seancave maratonë.
Ky projektbuxhet kaloi në Kuvend me 76 vota pro dhe 52 kundër. Sikurse paralajmëroi, opozita ka votuar kundër këtij projektbuxheti, që e cilësoi si buxhet që qeveria e ka vënë në shërbim të klientëve të saj.
Kritika për buxhet pati edhe nga radhët e PS, ku deputeti Erion Braçe gjatë fjalës së tij tha se dëmtohen interesat e fermerëve, por jo të ndërtuesve.
Duhej të ishte një seancë e mbushur me shifra e fakte për projektbuxhetin e vitit 2022, por rezultoi një përplasje me akuza e ofendime mes kryeministrit Rama dhe Bashës.
Gjithashtu në sallën e kuvendit u thye etika, pasi deputetët u përfshinë në debate dhe ofendime.
Gjatë orëve të fundit të kuvendit, Basha i nxori Ramës në Kuvend një audio të një bisede të tij me një qytetar, ku dëgjoheshin fjalë të papërshtatshme.
Rama pranoi se ishte ai në komunikimin që dëgjohej në audio dhe i kujtoi Bashës se pas arritjes së marrëveshjes në 2017, nuk dolën në konferencë për shtyp pasi kryedemokrati i kishte thënë ‘më premto që nuk do qeshësh kur të dalim jashtë.
Pas akuzave, Rama akuzoi Bashën se është bërë si ‘kopja e ustait’, duke iu referuar Sali Berishës, ndërsa sqaroi edhe deklaratën ‘Balonë Tabake’ për të cilën pati jo pak reagime, duke thënë se nuk ishte ofendim, por metaforë.