Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur Lulzim Bashës në lidhje me një audio që ai publikoi, të një bisede të Ramës me një person tjetër, duke e akuzuar atë për përdorimin e një gjuhe të papërshtatshme.
Rama pranoi se ishte ai personi që fliste në audio, teksa i kërkoi Bashës të ngrihej dhe të thoshte nëse edhe atij vetë nuk i kishte shpëtuar qoftë edhe një herë gjuha në komunikim privat.
“Të kthehem te ajo që dole këtu dhe the si një fëmijë që shikon fshehtas porno i thoshe ‘ ta bëj dhe njëherë?’. Harrove që parlamentin e ndjekin të gjitha moshat? Ku shkoi kujdesi yt për ata që na ndjekin, zonjat këtu? Ai është komunikimi im patjetër, unë nuk jam i rënë nga qielli dhe as Papë, por të çohet një burrë këtu dhe t thotë që asnjëherë në një komunikim privat nuk e ka parë gjuhën t’i shkasi në atë fjalor, të çohet, çohu t’i i pari dhe thuaj që në një komunikim privat nuk të ka shkarë gjuha që t’i kujton se do i bëni shqiptarë të më kthejnë kurrizin siç bëtë kur më nxorët fotot lakuriq. Ai është komunikim publik, ai është komunikim privat. Ti nisesh nga të paqena dhe thua përralla. Kush fle me qenin, gdhihet me morra”, tha Rama.
Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama:
Ndihem i detyruar të bëj një ndërhyrje tani, kur kësaj seance po i vjen fundi për faktin që kjo seancë, ndoshta më e rëndësishmja në vitin parlamentar, nuk u karakterizua nga debate mbi buxhetin, por mbase do mbahet mend për ca kohë për degradimin e rëndë të gjuhës.
Duke qenë se për këtë degradim u mor një zanafillë nga fjala ime, e ndjej për detyrë që të sqaroj dhe për opinionin publik se, e zbardhur literalisht ajo që thashë, fjala ime ishte si më poshtë “Pyet atë që ke në krah se ajo t’i jep shifrat, megjithëse t’i jep shifrat si balonëtabake”.
Gjithë çfarë erdhi pas mua më kujton një moment tek filmi “Il Postino” ku nëna i qahet fshatit se postieri kishte turbulluar vajzën me metaforat e Nerudës. Në ndërkohë, është e paimagjinueshme që teksa një metaforë kthehet në një akuzë, pas saj vazhdon një lumë i tërë balte, sharjesh deri në turrjesh për grushta, duke turpëruar të gjithë parlamentin.
Duke qenë se kjo nisi me zonjën Tabaku, e cila paskëtaj bëri edhe një replikë ku metaforën time, që kishte lidhje me shifrat, si “balonë tabake”, pra shifrat si “balonë tabake”, gjë që pastaj e kthjellova dhe më tutje, duke thënë se është lloji më prezentabël i balonës, ndërkohë që vjen dhe ajo tauke dhe ajo pa bisht.
Duke qenë se edhe më tutje pastaj, zonja Tabaku u ankua këtu para këtij Kuvendi se kjo na qenka një trend, unë kam ardhur këtu me një prej vendimeve të gjykatës, një prej tyre, që ka të bëjë pikërisht me zonjën Tabaku dhe e kam sjellë këtu për të thënë se ka një ndryshim shumë të madh mes retorikës, oratorisë, metaforave dhe mes sharjeve, shpifjeve apo akuzave me sfond penal për individin.
Janë ndryshime shumë të mëdha. Dakord?
Sepse përndryshe kthehemi në kohë shumë të errëta ku njerëzit gjykoheshin dhe diskretitoheshin publikisht për shkak të mënyrës se si përdornin gjuhën.
Jam shumë i impresionuar që edhe një poete si zonja Açka u ndje e prekur nga një metaforë, ndërkohë që unë nuk do prekesha fare, përkundrazi, do e konsideroja si pjesë të të komunikuarit, pavarësisht se herë mund të jetë e qëlluar e herë e paqëlluar, sikur përgjigja të ishte, fjala vjen, që kur unë flas, mund t’i dukem dikujt si “aeroplan pa bisht” apo si “gomar që fluturon”. Nuk ka asnjë problem, në rast se përdoret gjuha në këtë formë, dhe pastaj gjykon publiku.
Por kur gjuha përdoret si në rastin konkret, citoj zonjën Tabaku “Gënjen në shumicën dërrmuese të asaj që tha, saqë është shumë e vështirë të ndash fiksionet, shpikjet, gjysmë të vërtetat dhe trillimet e një njeriu të zënë në darën e korrupsionit, krimit të organizuar, të inkriminimit të çdo qelize të shoqërisë dhe deri dhe të shkatërrimit të saj.” Ky jam unë. Kjo është zonja Tabaku, ndërsa personi për të cilin flitet jam unë.
Më pas, “Kryeministri e ka ditur që pikat e basteve dhe kazinove janë drejtuar nga njerëz të tillë dhe jo vetëm nuk e ka ngritur gishtin, por në të kundërt, ka votuar shtyrjen e implementimit të ligjit. I njëjti kryeministër që ka vazhduar t’u japë leje ndërtimi këtyre personave që sot i akuzon si të lidhur me krimin e organizuar mu në mes të Tiranës, duke i ofruar dhe arkitektin e tij të preferuar”. Unë jam ky prapë. Dhe me radhë të tjera.Zoti Xhaferri sapo tha që kjo është e vërtetë.
Ky është problemi me komunikimin, me metaforat nga njëra anë dhe akuzat, të cilat pretendojnë të jenë të ngritura në fakte.
Për të gjithë këtë çarçaf, që nuk po e shtrij këtu para jush të gjithin, unë e kam ftuar zonjën Tabaku të çojë në gjykatë një fakt të vetëm për të provuar gjithë këto akuza. Pa hyrë tek çfarë ka thënë gjykata, e cila natyrisht ka kërkuar prova, unë po ju them atë që ka thënë e paditura, që është e njëjta gjë që mua më është dashur të dëgjoj sa herë më është dashur të dëgjoj, sa herë kam shkuar në gjyq me ata prej jush që kam zgjedhur t’i sfidoj në gjykatë.
Më vjen mirë që tani, mesa shoh, edhe disa ndër ju, kanë zgjedhur rrugën e gjykatës. Më vjen shumë mire, por më mirë vonë sesa kurrë sepse deri dje, kur ato që thuhen për ju sot, thuheshin për mua apo për ne të tjerët, juve, jo vetëm nuk ju bënte përshtypje, por përkundrazi, ju ishit pjesa më e zëshme e isos dhe sot ndjeheni të lënduar sepse po ju thuhen gjëra që juve po iu skandalizojnë. Por, më mirë vonë sesa kurrë.
Ndërkohë, e paditura është përpjekur ta prapësojë shqyrtimin gjyqësor të çështjes, duke thënë se “Ky është një opinion”.
Pra, në gjithë këta fashikuj këtu, jo vetëm që nuk ka asnjë fakt, por është i njëjti pretendim, si pretendim që ngriti Kryetari i Këshillit tuaj Kombëtar, se tani e mësova që na qenke kryetar i Këshillit tuaj Kombëtar, kur ishte në gjykatë me mua, ai erdhi përballë meje dhe pasi gjykata i kërkoi të shprehej për gjithë ato akuza, e dini se cfarë tha?
“Unë flas në emër të partisë. Unë nuk kam gjë me këtë fare. Unë këtu jam kot në gjyq, nuk kam lidhje fare sepse unë më thotë partia dil dhe thuaj, unë i besoj partisë”.
Kështu që, thënë të gjitha këto, dua të them edhe një gjë tjetër.
Unë jam shumë krenar për faktin që, në kujtesën time, të paktën qysh në kohën kur populli mori zë, nuk po flas për më parë se nuk bëhej fjalë, por qysh prej kohës kur populli mori zë në vitin 1990, jam i vetmi kryeministër që kam kërkuar ndjesë, jo vetëm njëherë por në dy apo tre raste. Nuk do ta kisha fare për ulje, përkundrazi, do ndjehesha edhe njëherë krenar nëse do kërkoja ndjesë po të ishte vend për ndjesë.
Unë nuk kam ndjesë për të kërkuar këtu sepse po jua them edhe njëherë.
Ju mund ta baltosni sa të doni, është zgjedhja juaj, këtë foltore këtu, që është foltorja e Kuvendit të Shqipërisë.
Ju mund të ktheheni sa herë të doni me gisht, duke treguar me radhë, gra e burra, këtu pas kurrizit tim e duke i etiketuar me fjalët më të ulëta dhe duke e legalizuar, me të drejtë qytetarie të plotë prej kaq shumë vitesh këtu fjalën “Kriminel, trafikant, fjalën i tillë, fjalën i atillë”, sepse këto ju duken normale.
E dëgjuat zotin Xhaferri?
Jam shumë i kënaqur që kurdoqoftë që do hapen nga studiuesit analet e këtij parlamenti, nuk do gjendet në fjalimet e mia asnjëherë një rast, ku unë një personi t’i jem drejtuar me akuza penale; që do të thotë ta kem etiketuar personalisht si “kriminel”, si “hajdut”, si i tillë apo si i atillë. Jo se nuk kam pasur përballë të tillë, edhe këtu në këtë sallë, por është gjuhë e ulët shumë për lartësinë që unë synoj kur flas dhe për respektin që unë kam për njerëzit, për veten, natyrisht për të gjithë ata nga kjo anë dhe ata që i kanë zgjedhur këta që më kanë besuar mua dhe patjetër dhe për mësuesit e mi të gjuhës.
Kështu që unë nuk e ul dot veten në atë nivel ku fjala e fundit e rrugës është bërë kryefjalë e opozitarizmit këtu në parlament.
Vazhdoni përpiquni sa të doni me këtë rrugë. Kjo është rruga që patjetër e dëmton shumë reputacionin e të gjithëve ne, jo tonin, duke rregulluar tuajin. E të gjithëve ne.
Njerëzit atje jashtë as nuk kanë kohë as detyrën ta bëjnë diferencën dhe dihet botërisht që midis një shfaqjeje ku pianisti thyen pianon dhe një shfaqjeje ku luhet “Sonata e Hënës” me pianistin më të mirë, audiencën më të madhe e ka ai që thyen.
Duke tërhequr të gjithë audiencën e mediave dhe të njerëzve tek këto fragmente, ju patjetër që së pari, damkosni veten edhe për sot dhe nesër si humbësa, siç e keni damkosur historikisht, por patjetër dëmtoni të gjithë këtë, si ta quaj, fushë, profesioni, çfarë të doni quajeni, që quhet politikë dhe nëse nuk e keni mësuar akoma që kjo nuk është rruga për të hyrë në mendjet e në zemra e shqiptarëve që bëhen shumicë, kurrë mos e mësofshi, por me klithma, me histeri, me vajtime, me thirrje të përbashkëta në emër të nuk e di se çfarë të drejtë gjinore në këtë rast e të tjera e të tjera, kundër metaforave dhe një mënyre të caktuar të të folurit, harrojeni se dilni gjëkundi e mbi të gjitha harrojeni se më bëni mua të ndryshoj mendim.
E fundit që kam, për… i thashë dje ato për buxhetin. Jua përsëris prap po të keni nge. Nëse keni nge, ua përsëris prapë. Do të ta plotësoj dëshirën tani, por të them dhe të fundit, që ta mbyll me këtë pjesë e pastaj do të vazhdoj me kërkesë të deputetit, bashkëdeputet të Durrësit. Dhe e fundit që kam është kjo. Unë e kuptoj shumë mirë se çfarë ishte gjithë ajo që ndodhi dje dhe kjo që ndodh sot, në aspektin e tensionit që ju keni, por nëse doni ta ktheni përsëri timonin në atë rrugë, është e drejta juaj, patjetër, por mos prisni që nga kthimi i timonit në atë rrugë e nga këputja e të gjitha urave të komunikimit me dhunë këtu në foltore, në këtë foltore, të gjeni tek ne pastaj gjë tjetër përveç thjesht një mirësjelljeje formale. Mbase kjo nuk ju intereson, por të gjitha ato që keni thënë e që keni ndërmend të bëni, nuk i bëni dot pa ne, mund t’i bëni vetëm bashkë me ne, natyrisht në funksion të atyre interesave që ju keni përcaktuar si të rëndësishme e nëse doni bashkëpunimin tonë, nëse doni që ne t’ju dëgjojmë, jo vetëm formalisht me respekt, sepse deri më sot askush këtu nga kjo anë nuk ka ndërprerë askënd nga ju këtej e më e bukura është se nga kjo anë, kur flitet, nuk drejtohen gishta, nuk sulmohen njerëz, nuk vijnë fjalët e faqes së ndaluar të gjuhës shqipe nga rruga drejt e në mikrofon, atëherë zgjedhja është e juaja.
Tani, për bashkëdeputetin tim të Durrësit, mund të them këto, që bashkërisht t’jua komunikojmë atyre që në qytetin e Durrësit punojnë, punojnë shumë më mirë, punojnë shumë më fortë se sa punon ky parlament, e marrin nga 300 mijë deri në 400 mijë lekë të vjetra, që nga 1 janari, ata nuk do kenë tatim mbi pagën. Pastaj t’ju themi atyre që janë përsëri në punë, që punojnë më mirë, punojnë më fort se sa ky parlament dhe punojnë çdo ditë, ky parlament edhe në ato ditë që punon shpesh herë e bën veten për të thënë që më mirë mos qoftë dhe marrin 400 deri në 500 mijë lekë të vjetra rrogë, që taksa e tyre mbi pagën do përgjysmohet nga 1 janari. Po ashtu, t’u themi atyre që janë një krah i shumë mirë kualifikuar i punës në vendin tonë që paguhen nga 1.5 deri në 2 milionë e që e kanë pasur problem tatimin mbi fitimin sepse me tatimin progresiv, tatimi i tyre shkonte deri në 23%, që nga 1 janari, tatimi i tyre thuajse do përgjysmohet.
Pastaj t’ju themi të gjithë atyre që merren me sipërmarrje të vogël në Durrës, që do vazhdojnë të paguajnë zero taksa dhe nëse kanë xhiro deri në 100 milionë nuk do paguajnë as TVSH. Nëse xhiron e kanë deri në 140, nuk do paguajnë taksë, do paguajnë vetëm TVSH.
E bashkërisht t’u themi të gjithëve sëbashku, të mëdhenj e të vegjël, punonjës apo sipërmarrës, që nuk ka rritje taksash. Pastaj shkojmë bashkë Ferdinand, takojmë një familje me ndihmë ekonomike, me tre fëmijë, aq më mirë, atëherë thuaja këtë, mos shko t’u flasësh atyre për krimin dhe për drogën, por shko e folu për dyfishimin e ndihmës ekonomike për secilin prej tyre që ka tre fëmijë apo më shumë se tre, por tre fëmijë të paktën deri në moshën 18 vjeç, pastaj shkojmë dhe bashkë por ti mund të shkosh edhe vetëm, tek të gjitha familjet që janë në ndihmë ekonomike dhe tek një sërë kategorish të tjera, përfshirë dhe një pjesë të pensionistëve, t’i japim po të duash dhe me kategori, janë 106 mijë në total, që buxheti i vitit 2022 ka 45 milionë dollarë për të vazhduar të kompensojë në faturën e tyre të energjisë elektrike, diferencën mes çmimit të vjetër 7.7 dhe çmimit 9.5, ndërkohë që patjetër tua themi sëbashku, të gjithë të tjerëve, konsumatorëve familjarë dhe biznesit të vogël që sido që të rrotullohet puna, deri kur kjo krizë të jetë në formën e vetë akute, që shpresojmë të mbyllet apo të zbutet në gjashtëmujorin e dytë të vitit tjetër, buxheti i shtetit do të vazhdojë të paguajë e ata nuk do të paguajnë në faturën e tyre më shumë për energjinë elektrike, siç paguajnë tani që flasim, më shumë, motrat, vëllezërit, kushërinjtë e tyre në emigracion, në Greqi apo në Itali, për të mos shkuar më tutje. Do më? Aa, do.
Atëherë, t’ju themi po ashtu mësuesve që paga juaj, do të rritet 6% vitin e ardhshëm, 6% do të rritet edhe për mjekët, po, nga 1 korriku, ekzakt. Faleminderit për ndërhyrjen që edhe për mjekët dhe për infermierët, t’u themi dhe atyre punonjësve të policisë që punojnë jashtë vendbanimit që paga e tyre do të shtohet me një bonus deri në 150%, sepse ata janë larg vendbanimit e është mirë që të mbështeten dhe më shumë e do duhej që të gjithë këta të mbështeteshin dhe më shumë akoma, por këto janë mundësitë tani, që janë më tepër sesa ishin deri tani dhe sigurisht që ambicia është që paga e tyre të rritet 40% gjatë mandatit të tretë, edhe mësuesve, edhe mjekëve, dhe infermierëve, siç është ambicia që dhe paga minimale, deri në fund të mandatit të tretë të jetë 400 mijë, por duke filluar nga viti tjetër do shkojë nga 300 në 320 mijë lekë të vjetra. Nuk janë shumë, por janë më shumë se sa janë sot, pastaj në Durrës kemi dhe shumë gjëra të tjera që ne mund t’ia themi, por ato po i rezervoj kur të shkojmë bashkë në Durrës, sinqerisht, është mirë ta japim bashkërisht një shembull, si deputetë atje, shkojmë, futemi nëpër familje, zgjidhi vetë ti familjet e mund t’i diskutojmë dhe çështjet e krimit dhe të drogës bashkërisht atje, por Ferdinand, një gjë askush nga ju nuk ma mohon dot, që kur kthehemi në shtëpi në darkë, nuk ndihemi mirë.
Nuk ndihemi mirë në raport me familjen dhe në raport me njerëzit tanë. Nuk ndihemi mirë. Nëse, ja prap, kjo nuk është mizogjeni, por një zonjë atje qesh. Nuk e di a është nënë, nuk e di a nuk është nënë, por mua ma ha mendja që qesh se nuk kupton, nuk ma ha mendja se qesh se ndihet mirë kur shkon në shtëpi në darkë dhe familje rreth e rrotull e shikon sikur sapo ka dalë nga një xhungël ku janë kacafytur njerëz që marrin formën e të dalëve nga mendja, besoj. Për këtë duhet të biem dakord.
Të tjerat pastaj, të gjitha mund t’i diskutojmë, mund t’i debatojmë, mund të polemizojmë shumë ashpër, nuk diskutohet, por ka një fjalë që thotë, “mos i bëj tjetrit atë që tjetri nuk do të ta bëjë ty” dhe sot juve po e provoni në lëkurë dhe po e provoni, se është vetëm fillimi. Tani do të hyni në një fazë ku do t’ia digjni lëkurën njëri-tjetrit me bishtat e një cigareje që e keni pirë bashkë 30 vjet e tani do provoni ju se çfarë është të të marrin përpara dhe në vend se të merren me idetë e tua, në vend se të merren me qëndrimet tua, në vend se të merren me vendimet apo me veprimet e tua, të merren me gjëra që ti as nuk e ke çuar në mend që t’i bësh, me gjëra që ti e di shumë mirë që nuk kanë lidhje fare, dakord? Me gjëra që ti nuk do doje kurrë që të të ndodhnin. E pra, ia keni bërë, e keni bërë këtë 30 vjet. Tani është koha që ta provoni vetë se çfarë është kjo dhe prisni se nuk keni parë gjë akoma, por jo më nga unë e nga ne, por nga njëri – tjetri.