“Fama, divorci dhe fiksimi” Adele në një rrëfim ndryshe

Në intërvistën e parë televizive për albumin e saj të ri, përballë Oprah Winfrey, këngëtarja e famshme britanike, Adele, ka rrëfyer për jetën e saj personale dhe vendimin për divorcin.

Ajo u shpreh se ndihej “e turpëruar” dhe se iu desh kohë të merrte veten pas ndarjes nga bashkëshortit Simon Konecki, në vitin 2018, me të cilin jetoi për 8 vite.

Kam qenë e fiksuar pas familjes gjatë gjithë jetës sime, sepse nuk e kam pasur kurrë  një të tillë”, tha këngëtarja, babai i së cilës u largua nga shtëpia kur ajo ishte vetëm dy vjeç. “Që në moshë shumë të re i premtova vetes se, kur të kisha fëmijë, do të qëndronim së bashku. Dhe u përpoqa për një kohë vërtet të gjatë.”

Ajo shtoi se “ankthi I tmerrshëm” pas divorcit e shtyu të kryente një regjim ushtrimesh që e çoi në humbjen e 45 kg në dy vjet.

33 vjeçarja tha se për herë të parë e kuptoi se martesa e saj po shkatërrohej kur bëri një test personaliteti për një revistë. Një nga pyetjet ishte, “çfarë është diçka që askush nuk e di për ty?“, dhe ajo u tha miqve të saj: “Unë nuk jam e lumtur”.

Ata të gjithë u habitën,” kujton ajo. “Prej asaj dite pyeta veten Çfarë po bëj? Për çfarë po e bëj?

Këngëtarja dhuroi një shfaqje të paharrueshme, teksa performoi disa nga këngët e albumit  të ri, përfshirë edhe hitet klasike në Observatorin skenik Griffith në Los Anxhelos. E ndjekur nga yje si Lizzo, James Corden dhe Melissa McCarthy, kjo ishte dhe hera e parë që djali i vogël i Adelës, Angelo, e ndiqte shfaqjen drejtpërdrjet.

Shfaqja ishte e ndërthurur me klipe intervistash, të regjistruara në të njëjtin kopsht me trëndafila në Kaliforni, ku Winfrey intervistoi Meghan Markle dhe Princin Harry në fillim të këtij viti.