Enkelejd Joti zgjidhet Drejtor i ri i RTSH-së me 7 vota pro nga 9 anëtarë të Këshillit Drejtues

Enkelejd Joti është zgjedhur si drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar.

Joti u zgjodh me votim të fshehtë të 9 anëtarëve të Këshillit  Drejtues me tre të pestat e votave.

Ai siguroi sipas ligjit shumicën e cilësuar të votave nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues që kryen këtë të hënë proceduren statutuore të zgjedhjes së drejtuesit të ri të institucionit mediatik më të madh të vendit.

Vendimi i Këshillit Drejtues erdhi pasi më herët u dëgjuan në seancë publike katër kandidatët që ishin paraqitur si pretendente për këtë detyrë publike.

Kandidatët në garë ishin Enkelejd Joti, Iris Luarasi, Mimoza Haxhiaj dhe Laureta Roshi.

Në mbledhjen e këshillit, anëtarët e tij u drejtuan pyetje secilit prej kandidatëve që hynë në garën për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar. Procedura e zgjedhjes së drejtorit të ri të përgjithshëm u monitorua nga komisioni ad-hoc i ngritur për këtë qëllim.

Enkelejd Joti ka mbajtur më herët postin e drejtorit të përgjithshëm të Top Media-s, për 12 vjet rresht, që nga 2003 deri në dhjetor të 2015 kur ai dha dorëheqjen. Ai ka kryer studime në fushën e ekonomi-financës, teksa më herët ka mbajtur edhe detyrën e nëndrejtorit të Përgjithshëm të TVSH.

Nga viti 2017, ai ka qenë drejtori i ri i Qendrës Spitalore Nënë Tereza, e ndërsa pas arrestimit të ish-drejtorit Thoma Gëllçi, për korrupsion me tenderat, ai mori pjesë në garën për të drejtuar RTSH, ku u shpall fitues dhe mori 7 nga 9 vota të Këshillit  Drejtues.