Buxheti 2022/ Basha: Keni harruar fermerët, u përgjigjeni me dhunë policore protestave të tyre

Bujqësia, që përbën gati 20% të prodhimit të brendshëm bruto, merr në këmbim mbështetjen më të ulët në krahasim me vendet e rajonit, u shpreh kryedemokrati Lulzim Basha sot në kuvend.

Kjo, sipas tij, i bën jo konkurruese produktet tona:

“Po i shkatërron fermerët tanë. Dhe ndërkohë që fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje serioze, përgjigjen e vetme keni dhunën policore për të shuar protestën e tyre të drejtë.

Edhe tani që flasim, fermerët janë në rrugë për të drejtat e tyre, për mbijetesën e tyre, për të marrë atë që kolegët e tyre në rajon e gëzojnë çdo ditë, nga qeveri që mbështesin bujqësinë, që u shpërblejnë mundin dhe sakrificën me të cilën kontribuojnë në ekonomi.

Brenga, dëshpërimi dhe zemërata e tyre janë të përligjura, sepse ata detyrohen të flakin produktet e tyre, detyrohen të emigrojnë, të punojnë tokat e vendeve fqinjë, sepse paratë e taksave që ju shpërdoroni, nuk shkojnë për ta”.

388 milionë euro duhet të paguajë shteti shqiptar nga arbitrazhet, tha Basha, shifër që sipas tij mund të përdorej për bujqësinë apo për familjet në nevojë.

“Mjafton të shohim raportin e KLSH-së, ku thuhet se shteti shqiptar duhet të paguaj nga buxheti 388 milionë euro për vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Arbitrazhet e famshme, ku kur bëhet fjalë për taksat e shqiptarëve, ju vetëm humbni.

Një shumë e frikshme, që mund të ishte përdorur për bujqësinë, për ata familjarë që sot dalin në rrugë për të kërkuar ndihmën që meritojnë”.