Basha “i hap” luftë Berishës: Nuk ka Kuvend Kombëtar në 11 dhjetor, do të mblidhet në 18

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të mblidhet në 18 dhjetor.

Kështu ka bërë të ditur kryedemokrati Lulzim Basha këtë të hënë në mbledhjen e Kryesisë.

Basha paralajmëroi Berishën se nuk do të lejohet që të ketë struktura paralele brenda partisë.

PD nuk mund të funksionojë me struktura paralele. Vetëm Vuçiç në Kosovë kërkon struktura paralele dhe Dodiku në Bosnjë”, është shprehur Basha gjatë mbledhjes së Kryesisë.

Basha ka shkuar më tej, duke thënë se do të ketë persona të tjerë brenda PD që do të shpallen ‘non grata’.

Ai tha se nuk do të lejojë mbledhjen e Kuvendit të PD-së më 11 dhjetor.

11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD, në ditën e izolimit të PD. Për këtë arsye, për ti shërbyer demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës, i propozoj Kryesisë së Partisë Demokratike: Thirrjen e Kuvendit Kombëtar me 18 dhjetor”, tha Basha.

Kryedemokrati akuzoi ish-kryeministrin Berisha, që ka lidhje personazhe si Aqif Rakipi, Suel Çela, Rrahman Rrahja apo Tom Doshi.

Shpjegimi është i thjeshtë: Disa duan të  jenë faktorë në PD dhe të vijojnë aferat e tyre korruptive  e kriminale me PD-në siç kanë bërë e bëjnë me PS e Ramës.  Disa të tjerë, që presin të shpallen non grata, u intereson kjo përplasje per te mbrojtur veten e tyre. Të gjithë këta që përmenda në një formë a tjetër janë njerëzit e Ramës, i shërbejnë vetëm Ramës, nuk vrasin mendjen as shqetësohen që demokratët janë pa bukë, janë nën presionin e pushtetit, janë papunë”, tha Basha.

Këtë të hënën, Basha i propozoi Kryesisë së PD-së thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor, sipas një rendi dite me tre pika, duke shtuar më tej se nuk ka një Kuvend të PD-së në 11 dhjetor, por një thirrje për t’i kundërvënë SHBA-ve një pjesë të vogël të PD-së për interesa personale.