Në Kosovë sot (14 nëntor) qytetarët votojnë për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave, përfshirë edhe atë të kryeqytetit, Prishtinës.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dalja në zgjedhje ishte rreth 38 për qind e votuesve.
Të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kishin 1,260,571 qytetarë.
Në konferencën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas mbylljes së vendvotimeve u paralajmërua se shpallja e rezultateve preliminare mund të bëhet sot, më 14 nëntor.
Komuna me më së shumti votues deri më tani është Mamusha me një dalje prej rreth 60 për qind.
Ndërsa komunat tjera me dalje më të madhe janë Juniku dhe Kllokoti me nga 53 për qind.
Komunat me dalje më të ulët të votuesve janë Dragashi dhe Klina me 29 për qind.
Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, u shënua një dalje në zgjedhje prej afër 42 për qind.
Kujtojmë se në rundin e parë të zgjedhjeve, në tetor, në Prishtinë kanë votuar rreth 45 për qind e votuesve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përmes postës 1,571 pako të supozuara me fletëvotime nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ka votuar, ka thënë se “detyrimi qytetar për kontribuuar në demokracinë e vendit tonë nuk ka përfunduar më 17 tetor”.
“Sot është ditë po aq e rëndësishme, e cila përcakton fatin e komunave ku gjithsecili prej jush dhe prej nesh jeton, prandaj është shumë me rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij detyrimi në mënyrë që nesër të kenë më shumë të drejta dhe kualitet më të madh të jetës në komunat ku ata jetojnë”, ka theksuar presidentja Osmani.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas votimit se zgjedhjet komunale janë të rëndësishme, pasi “komuna është shumë e rëndësishme – në njërën anë është publikja e lagjes dhe në anën tjetër është qeliza e Republikës”.
Ai i ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre përmes udhëheqësve, të cilët do të zgjedhin.
I ngarkuari me punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, në një postim në Twitter ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që të mos e humbin mundësinë për të votuar.
“Mos e humbisni mundësinë për të formësuar prioritetet e komunës dhe vendimmarrjen e qeverisjes vendore”, ka shkruar ai në Twitter.