Kryeministri Edi Rama në një takim me mësues nga shkollat publike të vendit tha se në buxhetin e vitit 2022, përfshihet rritja e rrogave për mësuesit.
Ai u shpreh se projeksioni i qeverisë shqiptare është pagat të rriten pa diskutim edhe 32%, por ajo çfarë synohet është objektivi i rritjes së tyre deri në 40 për qind.
“Jemi në kushtet e pandemisë, por sidoqoftë ne do vazhdojmë të synojmë objektivat maksimalë”, theksoi Rama.
Rama u ndal te niveli i mësuesve dhe drejtuesve të shkollave në vend, ku tha se ka shumë për të bërë, pasi ka ende mësues në nivel të ulët dhe drejtorë poshtë nivelit të mësuesve.
“Përmes një sistemi tërësisht objektiv pikëzimi që kalon përmes testeve dhe pavarësisht rasteve të shpërdorimit me këtë sistem ajo që mund të thuhet me plot gojën është një përqindje shumë e vogël në raport me gjithë pjesën tjetër. Ne kemi drejtues shkollash që janë nën nivelin e mësuesve. Kemi drejtues shkollash që janë out. Kjo është shumë e qartë. Duhet ndërhyrë që drejtuesit me vlerë të mbështeten dhe të motivohen maksimalisht, drejtuesit që iu ka kaluar koha të largohen. Kjo s’ka rëndësi se çfarë bindjesh politike kanë, apo nga janë dhe çfarë statusi financiar ka bashkëshorti i tyre. Tani ka rëndësi aftësia. Shumë drejtues nuk e reflektojnë të njëjtën gjë. Nëse ne nuk kemi drejtimin e shkollës në nivelin e duhur, në të gjitha shkollat, këto çfarë thamë mbeten të cunguara”, tha ai.