Atentat mafioz në Astir, dy të vrarë/ Gendet një makinë e djegur, që mund të jetë e autorëve

Kryeqyteti është tronditur mbrëmjen e kësaj të shtune, ku një atentat i organizuar vrau dy persona.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Astirit, rreth orës 19:30. Dy viktimat janë identiifikuar si Erigers Mihasi dhe Armando Dumani.

Erigersi ka qenë duke drejtuar mjetin tip “Audi” në momentin që është qëlluar nga një tjetër mjet në lëvizje. Mihasi është një nga njerëzit më të besuar të biznesmenit të lojërave të fatit Vis Martinaj, dhe ka precedentë të mëparshëm penal.

Ai ka vuajtur dënim për “Grabitje me armë” ndaj dy të moshuarve,  prindër të Elton Çiços në Tepelenë.

Mësohet se një makinë tip “Honda”, është gjetur e djegur në Thumanë dhe dyshohet se i përket autorëve që bënë atentatin në Tiranë.

Tiranë/ Informacion shtesë

Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur te “2 rrathët” në Unazë të Re, ju bëjmë me dije se :

Grupi hetimor ka bërë identifikimin e dy personave që kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri:

Drejtuesi i mjetit shtetasi E. M., 32 vjeç dhe pasagjeri shtetasi A. D., 26 vjeç.

Ndërkohë në Thumanë është gjetur një automjeti tip “Toyota” duke u djegur dhe dyshohet se është automjeti që kanë përdorur autorët e ngjarjes.
Targat e mjetit të djegur rezultojnë të vjedhura në Tiranë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e ngjarjes si dhe grumbullimin e provave që çojnë në identifikimin e autorëve të ngjarjes.

Policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa ka rrethuar zonën dhe ka ngritur postblloqe në qytet.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “2 rrathët” në Unazë të Re, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjeti tip “Audi”. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ishin brenda në mjet.

Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe grumbullimin e çdo prove që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.