Paloka hap kasafortën para gazetarëve: Ja ku janë firmat, do të verifikohen nga Komisioni i Mandateve

Kreu i këshillit kombëtar të PD, Edi Paloka, ftoi sot në zyrën e tij në selinë e Partinë Demokratike me gazetarët.

Ai tregoi 4200 firmat e anëtarëve demokrat, që kërkojnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Paloka tha se vetë nuk ka firmosur, por detyra e tij është që të depozitojë formularët që janë sjellë në selinë blu.

Të gjithë këta që kanë firmosur nuk janë anëtarë të thjeshtë të PD janë delegatë të kuvendit siç i përcakton statuti. Nga anëtar seksioni te kryetari i kryesisë, janë të gjithë të dhënat me emër mbiemër, numrin e kartës ID dhe funksionin në parti. Janë 4200, mos fokusoni emrat, gazetarët të ulen kush ka dëshirën për të verifikuar, t’i marrë dhe t’i verifikojë. Ky verifikim do të bëhet edhe në këtë kuvend që është i jashtëzakonshëm. Këtu janë 4200 formularë, do verifikohen ditën e Kuvendit me komisionin e mandateve“, u shpreh Paloka.

Paloka ka thënë se PD për momentin ndodhet në një krizë dhe shumica, kërkon që kjo gjendje të zgjidhet.

Kreu i këshillit kombëtar të PD-së, tha se “duam apo nuk duam jemi në një krizë që duhet zgjidhur”.

Lista e delegatëve janë kryetarë sekretarë seksionesh, anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputetë, emër për emër, janë edhe në sekretariat. Ditën e Kuvendit një përfaqësi të vijnë me listën e delegatëve të verifikojnë. Nëse ai nuk njeh vullnetin e shumicës së delegatëve të Kuvendit kjo është përgjegjësi edhe më e madhe. Për aq kohë sa akuzon se nuk janë firmat e delegatëve të vijnë dhe ta konfirmojnë. Në këtë rast ka një kërkesë të firmëtarëve dhe të përfaqësuesve të tyre dhe kanë kërkuar që këto formularë t’i depozitoj unë. Nuk e ka në statut që këto formularë shkojnë te sekretari i Këshillit apo në këtë vend, se protokoll nuk kemi fare në fakt”, tha ai më tej.

Një grup deputetësh të Partisë Demokratike, mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha dorëzuan në PD, 4200 firmat për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, për të kërkuar shkarkimin e kryetarit aktual, Lulzim Basha.