Shpronësimet e banorëve që preken nga projektet infrastrukturore të qeverisë në Vlorë, Patos dhe Roskovec, trajtimi financiar i vullnetarizmit për të nxitur vullnetarët në aksionet e ushtrisë sidomos në drejtim të përballjes me fatkeqësitë natyrore dhe miratimi i planit të veprimit anti-trafik të personave si pjesë e strategjisë kundër krimit të organizuar janë disa nga vendimet e qeverisë ditën e sotme.
Vendimet prekin 4 dikastere, ku një rëndësi iu kushtua edhe studentëve ekselentë brenda dhe jashtë vendit, që do të merren nga qeveria për të kontribuuar me projekte dhe idetë e tyre përmes një kontrate 1-vjeçare, sipas shqiptarja.com.
Një tjetër vendim i qeverisë ishte edhe emërimi i Ardi Veliu, ish-kreu i Policisë së Shtetit, si zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, me propozim të kryeministrit Edi Rama.
E pra që mori fjalën e saj ishte ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ku tha se qeveria ka miratuar 3 vendime për shpronësimet e banorëve që preken nga ndërtimi i infrastrukturës konkretisht në Vlorë, Patos dhe Roskovec. “Qeveria kaloi 3 akte që janë të lidhur me shpronësimet në Bypass e Vlorës për të përfunduar punën e nisur në fillim sezonit veror 2022, shpronësimet në Patos për të vazhduar me projektin e shëtitores në kuadër të rilindjes së qytetit dhe në Roskovec që lidhet me punimet për ujësjellësin”, tha Balluku.
Balluku foli edhe për reformën e thellë që do të prekin ujësjellësit për të ofruar shërbime sa më cilësore. Kjo reformë do të zgjasë 12 muaj dhe ishte paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama. “Në Roskovec është pjesë e strategjisë për të investuar në të gjithë ujësjellësit në Shqipëri. Ne kemi nisur një reforme të thellë të sektorit që do të përfundojë brenda 12 muajsh dhe do të nis një mënyrë të re menaxhimi. Fondet e i investuara në sektorin e ujit kanë rritur kushtet teknik të ujësjellësve, por nuk janë indikatorët që ne prisnin pas punës dhe shumës të madhe të investuar. Pa cenuar pushtetin vendor, por duke pasur parasysh që shërbimet cilësore janë prioritet dhe do të nisim reformë për sektorin e ujit për të rritur menaxhimin në secilin bashki’, tha Balluku.