Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, nga Tirana ka shprehur edhe një herë qartë se konferenca e parë ndërqeveritare duhet të hapet sa më parë mes Shqipërisë dhe BE.
“Është e drejtë që për të nisur konferencën e parë ndërqeveritare të ndryshojë qëndrimi i Bullgarisë. Shpresoj që kjo të ndodhë. Do të ishte e drejtë, ju keni bërë kaq shumë përparime. Natyrisht që shumë keni bërë. Bashkimi Europian dhe Shqipëria duhet të forcojnë marrëdhëniet. Duhet të ketë diçka midis gjatë rrugës që ecim përpara. Jam i lumtur që vendet tona zhvillojnë marrëdhëniet dypalëshe. Ne bashkëpunojmë intensivisht. Holanda është investuesi më i madh në Shqipëri. Ne vazhdojmë të takohemi. Le të vazhdojmë të punojmë kështu, të takohemi, ta ndërtojmë këtë miqësi dhe ta bëjmë më shumë praktike“, tha ai.
Kryeministri Edi Rama tha se gjatë takimit me homologun holandez folën për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe rritjen e investimeve holandeze në Tiranë. Në takim u fol edhe për integrimin, ku Rama tha se Mark ka komunikimin me palën bullgare për zgjidhjen e ngërçit të integrimin para dhjetorit.
“Sot kryeministri është në tiranë, iu desh të fitonte 4 palë zgjedhje që të vinte në Shqipëri. Është kënaqësi se përveçse është në Tiranë vjen në një moment shumë pozitiv në marrëdhëniet tona mes dy qeverive. Siç e dini Holanda e ka mbështetur hapur hedhjen e hapit të mëtejshme për Shqipërinë dhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ne kemi një marrëdhënie pune shumë pozitive. Kemi projekte të ndryshme nga Holanda përmes ambasadës së Holandës në Tiranë. Kemi rritje të pranishme së biznesit holandez në Shqipëri dhe kemi një rritje të përvitshme të turistëve nga Holanda. Kemi folur për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe krimit të organizuar dhe progresi i bërë në këtë bashkëpunim do të rrite si pasojë e rritjes së kapaciteteve të vëna në depoziton të këtij bashkëpunimi, ku do të përfitojnë të dy palët. Kemi folur edhe për momentin ku vendet e BE janë gati të nisim formalisht procesin e gjatë të negociatave por duhet zgjidhur ngërçi i krijuar nga veto e Bullgarisë. Unë e falënderoj mikun tim Mark për kontributin personal në komunikimin me palën bullgare drejt zgjidhjes dhe përpara se të mblidhet këshilli evropian në dhjetor”, tha Rama.
Kujtojmë se Holanda, një prej vendeve më skeptike ndaj integrimit të Shqipërisë në BE, ka ndryshuar krejtësisht qëndrim, pasi kritikoi hapur Bullgarinë për pengesën që po bën ndaj Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha gjatë Samitin e Brdos në Slloveni, se nuk ishte i kënaqur me qëndrimin e mbajtur nga Bullgaria për Maqedoninë e Veriut, një vendim që po pengon gjithashtu edhe negociatat me Shqipërinë.