Dorëzohen 4200 firma në PD, kërkojnë ngritjen e Kuvendit Kombëtar

4200 firma të anëtarëve demoktat u dorëzuan sonte në selinë blu.

Kreu të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka mori formularët dhe tha se do të hapen nesër, në seancën e kuvendit.

Paloka tha se vetë nuk ka firmosur, por do të zbatojë detyrimin ndaj delegatëve të kuvendit.

Ai theksoi se asnjë institucion nuk ka detyrim që të bëjë verifikimin e këtyre formularëve veç kuvendit, ndërsa do të ngrihet një komision i posaçëm për t’i verifikuar në mënyrë që të ruhet mbrojtja e të dhënave personale të të gjithëve .

“Jemi në këtë rast dhe për këtë arsye po zbatojmë detyrimin ndaj delegatëve të kuvendit për të mbledhur kuvendin, firmat janë depozituar në zyrën time, e dëgjuat shpjegimin që dha Berisha për argumentet që dhanë se pse u depozituan në zyrën time, nuk ka detyrim dhe asnjë institucion që të bëjë verifikimin e këtyre formularëve veç kuvendit. Një kërkesë e  veçantë është që të ruhet fshehtësia e të dhënave të tyre, një problem që nuk haset për herë të parë, por pak rëndësi ka kjo është e drejtë mbrojtja e të dhënave personale, do qëndrojnë të mbyllur për t’u hapur ditën e kuvendit të jashtëzakonshëm, ku do të bëhet verifikimi i të gjithë mandateve. Unë jam një nga ata që nuk kam firmosur, por jam i detyruar që të zbatoj kërkesën e më shumë se gjysmës së delegatëve që të mblidhet. Do ketë një komision dhe do të ketë të drejtë gjithsecili që të verifikojë”, tha Paloka.

Berisha një ditë më parë në foltoren e Pogradecit akuzoi Lulzim Bashën, se ishte marrë peng nga kryeministri Edi Rama.

Basha e ka përjashtuar Berishën nga grupi i deputetëve, pasi ai u shpall ‘non grata’ nga DASH.

Pas kësaj, Berisha u shpreh se do të kandidonte për postin e kryetarit të Partisë Demokratike.