Akti normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2021 solli përplasjen në Kuvend të kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama.
Diskutimin e nisi i pari kryedemokrati i cili tha se qeveria ka marrë borxh këto 8 vite më shumë se të gjitha qeveritë të marra së bashku.
“Në 8 vite, edhe pse ka rritur taksat, Edi Rama ka marrë borxh sa të gjitha qeveritë e Shqipërisë së bashku, nga 1991 deri në 2013-ën, miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve, të cilat nuk u kthyen në mirëqenie për familjet e thjeshta, as nuk shkuan për një sistem arsimor më të mirë, as për një sistem shëndetësor më cilësor, as në mbështetje për blegtorët dhe fermerët, as në rroga më të larta, as për pensione dinjitoze për të moshuarit tanë. Miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve, edhe njëherë sa të gjitha qeveritë të marra bashkë nga 1991 deri në 2013-ën, që nuk shkuan për qytetarët dhe as nuk e bën dot Shqipërinë një vend më të jetueshëm, por e kthyen në një vend që konkurron me shtetet në luftë civile për numrin e azilkërkuesve në Europë, në raport me popullsinë”, tha Basha.
Por kryeministri Edi Rama tha se marrja e një eurobondi nuk është një borxh, por një mundësi për të rritur ekonominë.
“Nga ana tjetër, ka një keqkuptim të madh për aktin normativ dhe eurobondin, eurobondi nuk është një borxh i radhës, por një mekanizëm financimi, me likuiditet i vetë borxhit, nuk është siç tha Mediu, të marrim borxh të lajmë borxh, por është mekanizëm që na jep mundësinë që të përballojmë rritjen e shpenzimeve dhe atë të borxheve të marra në shumë vite, tha Rama.
Kryeministri nuk i kurse kritikat edhe për opozitën, e cila e akuzon atë se e ka rritur nivelin e borxhit në 80 përqind.
Rama tha se kur ata e morën pushtetin, niveli i borxhit ishte 74 përqind, dhe para se të binte tërmeti e më pas pandemia, qeveria socialiste kishte arritur ta çonte në 64 përqind.
“Këtu ça nuk u tha, por e vërteta është që kur përsërisni borxhin 80 përqind, duke u përpjek t’i thoni njerëzve që këtu ka vetëm marrje borxh e dhe sikur situata ka dalë jashtë kontrollit, kujtohuni pak .
Ka një pse , për borxhin që është mbi 74 përqind, kanë ndodh dy ngjarje shumë të rënda që krijuan nevojë për të marrë borxh, borxhi që ju i latë vendit, ishte 74, dhe s’kishte as pandemi e as tërmet, por qoftë tërmeti, qoftë covid ishin e një forme tjetër në themelet e qeverisjes tuaja”, tha kryeministri”, tha ai.
Pavarësisht debateve dhe përplasjeve, Kuvendi miratoi ndryshimet për buxhetin e vitit 2021 me 74 vota pro dhe 49 kundër.