Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku një efektiv policie shtyu drejt humnerës gazetaren Anila Hoxha dhe operatorin e A2 CNN, ndërsa ata ishin në vendngjarje për të marrë detaje në Qafë Mollë për rastin e ekzekutimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha.
Sipas ministrit, efektivi i policisë i identifikuar si Sh.T. është larguar nga detyra dhe kanë nisur hetimet për të.
Ai i ka kërkuar ndjesë Hoxhës, si dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë.
çuçi thekson se toleranca për këto raste do të jetë zero, ndërsa u bën thirrje thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, pasi përjashtohen automatikisht nga radhët e uniformave blu.
“Lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht. I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë. I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero. Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu”, shkruan ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.