Mblidhet Kryesia e Grupit Parlamentar të PD, Basha: Berisha prej kohësh është tub oksigjeni për regjimin e Ramës, do ta këpus

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha deklaroi sot se është i vendosur ta ‘këpusë’ Sali Berishën, si një tub që sipas tij po i jep oksigjen regjimit të Ramës.

“Koha e Sali Berishës ka mbaruar. Bashkë me të ka mbaruar edhe koha e mandateve të skaduara dhe përdorimit të PD-së dhe forumeve të saj për interesa personale. Asgjë dhe askush nuk do ta kthejë PD-në në një bunker për interesat personale të Sali Berishës. Partia Demokratike ka lindur si një aspiratë e popullit shqiptar për liri dhe demokraci, dhe është shpresa e shqiptarëve për të zgjidhur hallet e tyre të shumta. Dhe halli me i madh i shqiptarëve sot është regjimi i Edi Ramës.  Prej javësh, me zdërhalljet e tij Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Rames. Unë jam i vendosur t’ja këpus këtë edhe këtë tub oksigjeni për regjimin Edi Ramës”, tha Kryedemokrati Lulzim Basha, pak para fillimit të mbledhjes së kryesinë e grupit parlamentar të PD.

Kjo mbledhje vjen pasi Lulzim Basha ka marrë vendim për riorganizimin dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të  Forumit Rinor dhe Lidhjes Demokratie të Gruas së Shqipërisë. Kryetari i PD, Lulzim Basha urdhëroi thirrjen e proceseve zgjedhore. Posti i kryetares së LDGSH-së, mbahet me emërim që prej vitit 2012 nga Albana Vokshi. Kjo ka sjellë reagim të ashpër si nga një pjesë e të rinjve të FRPD-së por edhe të vetë Albana Vokshit, e cila ka munguar në këtë mbledhje të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD-së.