Opozita maqedonase arrin marrëveshjen për shumicën e re parlamentare

Drejtuesi opozitar maqedonas, Hristijan Mickovski deklaroi sot se është arritur marrëveshja për një shumicë të re parlamentare.

Ai nxori edhe një fotografi ku duken së bashku me Sekretarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, kryetarin e partisë E Majta, Dimitar Apasiev dhe Sekretarin e Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha.

Po vjen një e ardhme e re, një kohë e re dhe shpresë e re. Na presin sfida të forta; të vetëdijshëm për mbështetjen, së bashku do t’ia dalim”, shkroi ai në postim.

Duket se goditja ka ardhur pikërisht nga deputetë të Besës që kanë ndërruar krah.

Lëvizja BESA ishte pjesë e koalicionit qeverisës me LSDM-në.

Kjo e fundit nuk ka reaguar ende, ndërsa kreu i BDI, Ali Ahmeti shkoi në FB se për zhvillimet aktuale janë në kontakt dhe në koordinim me partnerët tanë strategjik, Shetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe Bashkimin Europian dhe se nuk do të veprojnë me emocione e as eufori.

Aleanca dhe Alternativa (ASH-A), të cilët dolën në koalicion me VMRO-në në zgjedhjet e fundit lokale, patën pohuar që në kohën e fushatës se “do të formonin një shumicë të re parlamentare pa Bashkimin Demokratik për Integrim”.

ASH-A kanë 12 vende në parlament; Lëvizja Besa, 3. E majta ka 2 ligjvënës, ndërsa VMRO-ja, 44.

Këto zhvillime janë rrjedhojë e dorëheqjes së paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev, menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 31 tetor, megjithëse, ai ende nuk e ka dorëzuar atë në parlament.