“90 milionë euro ndihmë”/ BE: Solidaritet me Shqipërinë për përballimin e pandemisë

Komisioni Evropian miratoi pagesën e dytë prej 90 milionë eurosh si ndihmë makro-ekonomike për Shqipërinë në kuadër të programit financiar për pasojat ekonomike të pandemisë.

 

Komisioni Evropian, (KE), në emër të Bashkimit Europian, (BE) lëvroi 90 milionë euro, të premten, (05.11) si ndihmë makro-ekonomike për Shqipërinë në kuadër të programit “Ndihmë Macro -Ekonomike Covid-19”, të përbërë prej gjithsej 180 milionë eurosh. Delegacioni i BE në Tiranë theksoi në një njoftim për shtyp, se kjo shumë është “pjesë e paketës së këtij programi prej gjithsej 3 miliardë eurosh për gjithë vendet partnere të zgjerimit dhe fqinjësisë për t’i ndihmuar ato që t’i përgjigjen ndikimit ekonomik të pandemisë Covid 19.”

Komisioneri i BE për Ekonominë, Paolo Gentiloni është shprehur, se “ky disbursim është një demostrim i solidaritetit të BE me popullin shqiptar por edhe i angazhimit të Shqipërisë për të përmbushur axhendën e rëndësishme të reformave të rëna dakort me KE”, thuhet në njoftimin për shtyp. Në kontekstin e kësaj ndihme, Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, citohet të ketë “përgëzuar Shqipërinë për përmbushjen me sukses të kushteve të marrjes së ndihmës makro-finanaciare të BE, që gjithsej përbëhet nga 180 milionë euro.

Në njoftimin për shtyp Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca inkurajon autoritetet e Tiranës që “Shqipëria të ruajë besueshmërinë dhe llogaridhënien e saj ndaj institucioneve të BE  dhe të çojë përpara  zbatimin e reformave që janë thelbësore për qytetarët shqiptarë”.

Disbursimi i parë prej 90 milionë eurosh,  në kuadër të programit “Ndihmë Macro-Ekonomike Covid 19” u krye në mars të këtij viti. Plotësimi i kushteve të politikës, të vendosura nga BE për përfitimin nga ky program, solli edhe pagesën e dytë dhe të fundit po prej 90 milionë eurosh. Kjo pagesë, thuhet në njoftimin për shtyp, përfshin marrjen e masave “të rëndësishme për forcimin e financave publike dhe qëndrueshmëtinë e sektorit financiar, përmirësimin e qeverisjes, mbrojtjes sociale dhe të luftës kundër korrupsionit”. Me disbursimin e fundit të programit, ”Ndihmë Macro-Ekonomike Covid-19”,  BE përfundoi tetë nga dhjetë programet e paketës prej 3 miliardë eurosh për Covid 19 për Shqipërinë dhe vendet e tjera partnere në rajon.