Kushtetuesja certifikon zgjedhjet vendore të 30 qershorit

Gjykata Kushtetuese këtë të enjte ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Bashkive për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet vendore të 30 qershorit të vitit 2019.

Pas shpalljes së vendimit të arsyetuar dhe njoftimit nga KQZ, Meta duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë Shkodër, Lushnjë, Dibër, Durrës, Rrogozhinë dhe Vorë.

Kujtojmë se Shoqata e Bashkive e kryesuar nga Voltana Ademi kërkoi në 2019 shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Ky vendim vjen pas opinionit final të Komisionit të Venecias, ku thuhet se Gjykata Kushtetuese nuk e ka në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor.

Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk këshillonte Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 Qershorit. Ndërkohë kujtojmë se 6 bashki janë pa kryetar.

Mazhoranca është shprehur e gatshme për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratët.

Presidenti Ilir Meta deri më sot ka refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës, pasi nuk pranonte ta njihte “30 Qershorin”, por Partia Socialiste pret që Presidenti të ndryshojë qëndrim pas vendimit nga “Kushtetuesja”.

Në 6 bashki, Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë pritet që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme lokale.

Shkodra është e vetmja qe drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndrojë në detyrë, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.