“Open Balkan” është nisma që do të mundësojë lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve midis gjashtë vendeve të rajonit, u shpreh sot kryeministri shqiptar Edi Rama, në takimin e radhës në Beograd, ku ishte i pranishëm dhe Presidenti serb e zëvendës kryeminstri maqedonas.
“I gjithë fokusi ka qenë te njerëzit, te kompanitë, fermerët, punëtorët, akademikët, studentët që janë dhe përfituesit real të Ballkanit të Hapur. Produktet nuk mund të rrinë me ditë në kufi, kjo shton koston në mënyrë marramendëse, ndërkohë që ndikon negativisht te produktet. Nuk mund të shkosh në kufi të premten dhe të presësh deri të hënën për të kaluar qumështin, kur ai është bërë kos. Apo për të pritur tre javë konfirmimin nga agjencitë e vendeve të tjera që të marrin produktin. Rezultatet do të paraqiten në Tiranë, në takimin e radhës në dhjetor dhe do të jenë përfitime për gjashtë vendet e rajonit, jo tre. Nga janari, në kufi fillon një relaksim, do të jetë shumë i lehtë kalimi i mallrave dhe kjo do të ndikojë në rritje ekonomike”, tha Rama.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se sipërmarrësit kryesorë të tre shteteve që janë tashmë pjesë e nismës së Ballkanit të Hapur, janë mbështetësit kryesor të një nisme të tillë.
“Kemi pasur edhe mbështetje, duhet të fluturojmë se kemi mbetur pas vendeve të zhvilluara evropiane për të pasur një përmirësim të madh. Kemi vonesa të mëdha që do të përpiqemi t’i zgjidhim. Reciprociteti për blerjen e pasurive të paluajtshme është një ndër to dhe zoti e di se çfarë gjërash burokratike janë pjesë. Samiti i Tiranës do mbahet pas Krishtlindjeve, datat 25-26 apo dhe 28 dhjetor, por kjo i takon Ramës ta vendosi. Do të nënshkruajmë memorandumin me lejet e punës. Unë jam më i dëshpëruari nga të gjithë kur nuk realizohen ato”, tha ai.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov është i mendimit se kjo nismë synon që të ndërtojë solidaritet duke u zhvilluar, duke ndërtuar një treg të përbashkët rajonal.
“Në Tiranë do të deklarojmë fitoret e deritanishme. Është shumë e rëndësishme që nisma të mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Besoj se sa më të vendosur të jemi për të ecur përpara aq më të besueshme do të bëjmë nismën edhe për vendet e tjera”, tha Dimitrov.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.