Helmimi i mbi 600 personave nga uji i pijshëm në Krujë, pezullohen dhe vihen nën hetim tre zyrtarë

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë po heton tre persona për helmimin e qytetarëve nga uji i pijshëm.

Mësohet se Ledio Çela, Administrator i Ujësjellësit në Krujë, Andi Kupa, Drejtues teknik dhe Ervin Karafili, Shef i Shërbimit të Epidemiologjisë Krujë, janë pezulluar nga detyra dhe po hetohen nga autoritetet.

Të tre këta persona dyshohen se janë përgjegjës për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i Detyrës” që me veprimet e tyre kanë lejuar ndotjen e ujit të pijshëm dhe dëmtimin e shëndetit të qytetarëve të Krujës.

Mbi 600 persona përfunduan në spital në Krujë me dhimbje barku, dhimbje koke e temperaturë, për shkak të kontaminimit të ujit të pijshëm.

Katër ditë pas regjistrimit të rasteve të helmimit, Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se në ujë është gjetur bakteri enterokokus.

Nëndrejtori i ISHP-së, Dritan Ulqinaku bëri përgjegjës Ujësjellësin e që sipas tij duhet të kishte reaguar më shpejt.