Në Shqipëri janë shtuar si kërpudhat call center që shërbejnë si ndërmjetësuese mes qytetarëve që duan të investojnë dhe të futen në tregjet financiare, dhe bankave, që ndryshe quhen kompani brokerimi.
Tregu më i madh financiar në botë që ofron mijëra burime investimesh (çiftet e monedhave, ar, aksione në naftë apo indekse të bursave të ndryshme), është Forex, që përfshin edhe tregun e bursave, edhe të mallrave edhe të monedhave, dhe dyshohet se pikërisht nën këtë logo luajnë edhe shumë kompani fantazmë të hapura në Shqipëri, që kryesisht mashtrojnë qytetarë të huaj.
Në Shqipëri, prokuroria e Tiranës, ka nisur hetimet për të verifikuar në terren këtë treg të paligjshëm, të kompanive që përdorin platforma online të brokerimit (ndërmjetësimit) dhe punojnë në të zezë, pra të palincencura. Report Tv ka zbardhur letër porosinë e autoriteteve gjermane për Prokurorinë e Tiranës, ku kërkohen të dhëna nga 3 kompani për të rënë në gjurmët e mashtruesve, e ndërsa aty sillet edhe një rast se si i kanë zhvatur 9 700 euro gjermanes duke i premtuar milionat me Bitcoin.
Këto shoqëri që maskohen si ligjore, joshin të huajt nëpërmjet skemave të mashtrimit të investojnë para që kalojnë në llogari të përgjumshme bankare, me premtimin se për një periudhë të shkurtër kohore, investimi i tyre do të shumëfishohet.
Por përse nisi ky hetim në Shqipëri?
Autoritetet e huaja i dërguan letër-porosi Shqipërisë pas denoncimeve të bëra në disa shtete, si Gjermania, Italia, Holanda, Franca etj, nga qytetarë të shumtë të huaj, që ishin mashtruar në shuma marramendëse nga kompani call center në Tiranë që i kanë kërkuar të investojnë në tregjet e bursës, dhe më tej, me marrjen e parave në llogari bankare, thjesht zhduken pa lënë gjurmë.
Burime për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, thanë se Prokuroria e Tiranës i ka dërguar letërporosi bankave të nivelit të dytë në Shqipëri për llogari dhe transaksionet që kanë bërë në 2 vite. Kërkesë i është bërë edhe Drejtorisë së Tatimeve, për një bilanc të këtyre bizneseve, ndërsa kompanive telefonike u është kërkuar të japin të dhëna për thirrjet e kryera ndaj numrave të huaj. Të njëjtat burime nga organi i akuzës, thanë se janë të paktën 1 mijë qytetarë të huaj që janë mashtruar, dhe jo pak, por deri në 500 mijë euro investim të humbur që ka derdhur në llogaritë fantazmë vetëm 1 qytetar. Pra, këtu flitet për miliona euro që të huajt mund të kenë investuar në bursën e rreme.
Por si funksionojnë skema të tilla që shfrytëzojnë sistemin “Forex”?
Kompanitë call center kryesisht marrin me qira ambiente të mëdha në zonat më të populluara në Tiranë, me qindra punonjës shqiptarë, kryesisht të rinj, që paguhen bazë nga 400-700 euro, por që paga e tyre mujore mund të arrijë deri në 3 mijë euro, në varësi të vlerës së investimit që arrijnë të marrin nga personat që bëhen pjesë e sistemit, pasi i kontaktojnë përmes një regjistri telefonik me numra të qytetarëve të një shteti përkatës. Të përzgjedhurit janë kryesisht moshat e thyera, për shkak se mund të mashtrohen më shpejt dhe pa kërkuar shumë detaje që për vetë moshën janë deri duke të pakuptueshme.
Vetëm me një kërkim të thjeshtë në internet, me fjalën “Forex Albania”, dalin me qindra oferta pune për të rinj me paga mujore të majme, dhe që kriter kanë gjuhët e huaja italisht, spanjisht, anglisht gjermanisht, greqisht dhe frëngjisht. Ndërkohë në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se 11 kompani të ndryshme përdorin “Forex” në Shqipëri.
Por përse marrosen të gjithë dhe investojnë në rrjete që masivisht mund të jenë të rreme?
Qytetarëve u premtohet se brenda një kohe shumë të shkurtër, që për shembull në sistemin bankar duhet të presësh për vite, një investim i vogël fillimisht, do të dyfishohet për pak muaj, e kështu me radhë duke i shtuar shumat e investimit në varësi të premtimeve për fitime shumë më të mëdha në vlera. Por një gjë e tillë nuk ndodh asnjëherë.
Rrjeti FOREX ofron mundësinë për tu futur në internet, për të investuar, për të blerë monedha, aksione, etj, të presësh që çmimet në bursë të rriten, për t’i shitur shumë më shumë nga sa i kanë blerë. Në një rrjet të ligjshëm e të lincencuar kushdo që arrin rezultatin e dëshiruar, mund të tërheqë fitimin e të mbyllë llogarinë./ Shqiptarja.com