Babai i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Xhelal Basha është përcjellë për në banesën e fundit sot.
Përmes një postimi në facebook, Basha ka falënderuar të gjithë miqtë dhe dashamirësit që iu gjendën dhe lehtësuan dhimbjen, me praninë, mendimet, mesazhet, lutjet dhe mbështetjen e tyre.
Po ashtu Basha ka falënderuar të gjithë stafin mjekësor që u kujdesën për babanë e tij gjatë kësaj periudhe.
“Sot i dhamë lamtumirën babait tim Xhelalit i cili u nda nga kjo jetë pas një beteje të gjatë, duke na hidhëruar dhe ligështuar mamanë time Remzijen, mua dhe vëllain tim Erlindin, Aurelën, vajzat, familjarët dhe miqtë e shumtë të tij dhe familjes. Ai u largua në paqe i rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i njerëzve të tij të dashur.
Në këto momente dhimbje të rëndë për familjen tonë, falenderojmë me mirënjohjen më të thellë të gjithë miqtë dhe dashamirët që na u gjendën dhe na lehtësuan, me praninë, mendimet, mesazhet, lutjet dhe mbështetjen e tyre.
Falenderojmë mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin shëndetësor për përkujdesjen e tyre të dhembshur për babain gjatë gjithë kësaj periudhe.
Për familjen tonë kjo është një humbje e madhe. Por po kaq i madh është ngushëllimi që Zoti e mori me qetësinë dhe dinjitetin që i fali në çdo çast të jetës së tij, si dhe lutjet tona që shpirti ti prehet në paqe!” shkruan Basha në mesazhin e tij.