Qeveria e Kosovës shpreson se do të ketë ndryshime pozitive të vendeve skeptike të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për vendin.
Sipas saj, në shtatë muaj qeverisje janë dëshmuar tashmë qëllimet e tyre të qarta për luftën ndaj krimit, korrupsionit dhe reformën në sistemin e drejtësisë.
Edhe pse nuk dhanë një datë konkrete, njohësit e integrimeve europiane si mundësi reale për liberalizimin e vizave e shohin gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, pavarësisht faktit që pikërisht atëherë presidencën e Këshillit të BE-së, e merr Franca, një ndër vendet skeptike.
Lajme të mira për liberalizim të vizave pret dhe profesori universitar, Afrim Hoti, i cili thotë për KosovaPress, se në pjesën e parë të vitit 2022 mund të ketë lëvizje pozitive për Kosovën.
“Parlamenti Evropian tash e sa kohë po trumbeton, bile është i vetmi institucion i BE-së qe njeh Kosovën dhe me të njëjtën ka konstituar marrëdhëniet kontraktuale. Sido që të jetë, çështja e liberalizimit të vizave tashmë ka mbet çështje e Këshillit të Ministrave. Disa vende hezitojnë sot e kësaj dite të japin dritën e gjelbër për këtë çështje. Mbase lajme të mira dhe tone optimiste priten në pjesën e parë të vitit të ardhshme, kur udhëheqjen e këshillit do ta merr Franca. Nisur nga fakti se edhe Franca është vendi që deri tani ka
shkaktuar më shumë problem”, tha Hoti.
Veç Francës, deri tani edhe Holanda e Danimarka kanë shprehur rezervat e tyre për ndërmarrjen e një hapi të tillë.